Maqedoni

Kaosi në NP “Higjiena Komunale”, ndërmarrja bëhet me drejtor të ri

30.10.2025 15:56

Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” - Shkup bëhet me drejtor të ri, respektivisht Aleksandar Jovanovski, ushtrues detyre....

Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” - Shkup bëhet me drejtor të ri, respektivisht Aleksandar Jovanovski, ushtrues detyre. Në këtë pozicion, Jovanovski vjen nga niveli si inspektor në Sektorin e Inspektoratit në Qytetin e Shkupit. Prej këtu njoftojnë opinionin se Jovanovski ka shumë vite përvojë në sektorin privat në tregti si udhëheqës i një njësie organizative, ndërsa me angazhim pune në Shoqatën për Mbrojtjen dhe Promovimin e Mjedisit, ka punuar në zbatimin e projekteve ekologjike dhe shoqërore përgjegjëse.
 
“Me arsimimin e tij, përvojën profesionale dhe angazhimin në sektorin publik dhe privat, Jovanovski do të kontribuojë në NP “Higjienën Komunale” - Shkup, për përmirësimin e standardeve  në ndërmarrjen publike, modernizimin e sistemeve të menaxhimit të mbeturinave dhe mirëmbajtjen e një mjedisi të pastër, të shëndetshëm dhe ekologjikisht përgjegjës.”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
 
Jovanovski në këtë pozitë vjen pasi që drejtori i deritanishëm i NP “Higjiena Komunale”, Sabahudin Rrustemi, dha dorëheqje morale, si i dyshuar për ndotje të mjedisit dhe dëmtim të natyrës përmes menaxhimit të mbeturinave. Pas dorëheqjes, Rustemit dhe një drejtuesit tjetër të ndërmarrjes u është caktuar paraburgim prej 30 ditësh.
 
Infeksionet shëndetësore nga mbeturinat, Koçinski: Nuk janë prekur qytetarët
 
Ndërkohë në aspekt shëndetësor epidemiologët nuk raportojnë rast të ndonjë të sëmuri ku arsyeja  ka qenë papastëria që e shkaktojnë mbeturinat e mbledhura në Shkup.
 
“Deri më tani nuk është evidentuar  ndonjë i sëmurë që lidhet direkt me tubimin e mbeturinave në Shkup, ndërkaq këshillat i kemi thënë edhe më herët. Duhet të kemi kujdes, sidomos në këtë periudhë, derisa të pastrohen mbeturinat. Dorezat janë opsion kur hidhen mbeturinat, dezinfektimi i duarve dhe po ashtu mbeturinat të hidhen në vendin e posaçëm dhe mos të mblidhen deponi të egra.”, - theksoi Dragan Koçinski nga IShP.
 
Ndërkohë të punësuarit në NP “Higjiena Komunale” janë me shpresë se mbeturinat do të mblidhen ditëve në vijim, sepse ndërmarrja në fjalë i ka në dispozicion rezervat e naftës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU