Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VLEN mbështet Sadikun dhe Qyrën

30.10.2025 17:13

Koalicioni VLEN në rrethin e dytë mbështet kandidatin e pavarur në Komunën e Studeniçanit dhe atë të Strugës...

Koalicioni VLEN në rrethin e dytë mbështet kandidatin e pavarur në Komunën e Studeniçanit dhe atë të Strugës, Azem Sadiku dhe Mendi Qyra, të cilët për kundërkandidatë kanë kandidatët e AKI-së. Duke folur në tubimin në Studeniçan, njëri nga liderët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti, tha se me fitoren në Studeniçan rrumbullakësohet fitorja në komunat e Shkupit. Mexhiti njëherësh theksoi se Komuna e Studeniçanit ka nevojë për përkrahjen e Qeverisë, pasi ka buxhet të vogël. Ai njëherësh theksoi se  kësaj komune i duhet një menaxher i mirë, siç është Azem Sadiku, me përvojë dhe dije. Sadiku do të ketë përkrahje fillimisht nga kryetarët e Çairit, Sarajit dhe Haraçinës, nga qyteti i Shkupit, si dhe nga Qeveria, tha Mexhiti. 
 
“Shkupi e dha provimin dhe vendosi, vulosi që Saraji, Çairi, Haraçina dhe domosdo duhet të vazhdojmë që edhe Studeniçani për ta rrumbullakësuar qytetin e Shkupit. Mendoj se të gjitha komunat kanë nevojë për përkrahjen e Qeverisë, por Studeniçani në veçanti, është një komunë me shumë pak buxhet me shumë pak mundësi, me shumë territor të madh, me shumë probleme.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga VLEN.
 
Mexhiti tha se duke e pasur parasysh këtë ekip, këtë elan, këtë mbështetje politike, buxhetore, financiare, ai mendon se ky do të jetë mandati i projekteve strategjike për Studeniçanin, Çairin, Sarajin, Haraçinën dhe të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët. Sipas Mexhitit, fitorja e koalicionit VLEN është edhe fitore e shqiptarëve, ndërsa fitore e VLEN-it do të jetë edhe fitorja e kandidatëve të pavarur, si Azem Sadiku dhe Mendi Qyra. Në mbështetje të kandidatit të pavarur në Strugë, Mendi Qyra, ka dalë edhe kandidati për kryetar të Tetovës, njëherësh edhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, i cili ka theksuar se fitorja në Tetovë, ku ai garon për mandat të dytë, nuk do të jetë e plotë pa fitoren e Mendi Qyrës në Strugë, i cili, siç tha ai, ka kontribuar edhe si biznesmen i suksesshëm për Strugën.
 
“Fitorja e Tetovës nuk do të jetë e plotë, nëse në Strugë nuk vjen në krye të saj një biznesmen i suksesshëm një qytetarë që ka kontribuar për Strugën, siç është miku im Mendi Qyra. Zgjedhjet lokale janë për të përzgjedhur udhëheqësit në nivel lokal, udhëheqës të cilët vijnë nga populli të cilët ofrojnë programin më të mirë për zgjidhjen e halleve të popullit. Kjo politikë përçarëse, kjo politikë degjeneruese, veç përbaltjes dhe shpifjeve nuk ka asgjë tjetër.”, - theksoi kandidati për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kasami njëherësh theksoi se koalicioni VLEN vendosi ta mbështesë kandidatin e pavarur, Mendi Qyra, pasi ai ka ardhur si propozim i struganëve. Përveç mbështetjes për kandidatët e pavarur në Strugë dhe Komunën e Studeniçanit, VLEN në rrethin e dytë garon me kandidatët e sajë, si: Bilall Kasami në Tetovë, në Bërvenicë është në garë Haqim Ramadani; në Dollnen, Blerim Islami dhe në Dibër, Fisnik Mela. 
 
FITORE DEMOLLI