Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, AKI vazhdon fushatën në Strugë dhe Tetovë
30.10.2025 18:14
Dalipi u është drejtuar qytetarëve duke theksuar se e kupton presionin që u bëhet për të heshtur apo frikësuar...

Kandidati për kryetarë të Strugës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Arsim Dalipi, u është drejtuar qytetarëve duke theksuar se e kupton presionin që u bëhet për të heshtur apo frikësuar, qoftë në institucione, administratë apo biznese. Dalipi tha se nuk kërkon që në këtë periudhë ata të ekspozohen, por i ftoi që me 2 nëntor të flasin me votën e tyre.
“Ju e dini të vërtetën, por prisni momentin e duhur për ta treguar atë, të mos dorëzoheni, të mos lejoni që frika të ju thyej. Duroni dhe qëndroni të fortë, sepse misioni ynë vazhdon, misioni për t’ju mbrojtur, për të mbrojtur qytetin tonë, për të ndërtuar një Strugë ku askush nuk frikësohet për bindjen e tij, për punën e tij apo për bukën e fëmijëve të tij. Unë jam me ju.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi.
Dalipi tha se struganët nuk lejuan askënd të blejë dinjitetin e tyre as me asfalt, as me disa kubikë dru, e as me premtime boshe e joshje të përkohshme. Ai premtoi se nëse merr besimin e qytetarëve do të punojë me ndershmëri. Për presion ndaj votuesve ka folur edhe njëri nga liderët e koalicionit AKI, Ziadin Sela, sipas të cilit oponentët politikë flasin për fushatë të ndershme, ndërsa e bëjnë të kundërtën.
“Është shumë e turpshme kur shkon dhe e turpëron shqiptarin në pragun e vet duke dashur t’i blesh votën dhe ta drejtosh gishtin tek të tjerët se gjoja paskan blerë votë. Është turp! Është shumë e turpshme të dalësh të shkosh nëpër institucione, të keqpërdorësh institucionet e shtetit, siç e shohim përditë në spitale, duke mbledhur doktorë, motra medicinale.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Sela tha se ata qëllimisht i kanë lënë me kontratë për t’i kushtëzuar, për të ua marrë votën. Sipas Selës, është e turpshme që ta kushtëzosh dikë me bukën e gojës, ta kushtëzosh me ardhmërinë e familjes dhe fëmijëve, është shumë e turpshme të kushtëzohet një djalë apo vajzë e re, me dhënien e votës që të punësohet. Sela tha se ka pasur raste që kur të rinjtë i kanë thënë është bërë e turpshme politika, pasi për një vend pune kërkojnë që të marrin pjesë në tubime, në të kundërtën nuk punësohesh apo do të përjashtohesh. Prandaj, sipas Selës, vota më 2 nëntor për kandidatin e AKI-së, Arsim Dalipi, do të thotë edhe çlirimi i struganëve nga presioni dhe shantazhet.
Fushatën e vazhdon edhe kandidati për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, i cili në takimin me qytetarët në lagjen “Koltuk”, ka thënë se ashtu si në të gjitha lagjet tjera, jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë, me mungesë të kushteve elementare. Tetova ka mjaftueshëm ujë, por uji nuk menaxhohet mirë, ka thënë Rexhepi, i cili premton ujë 24 orë, nëse merr besimin e qytetarëve. Me shpalosjen e programit vazhdojnë edhe kandidati i AKI-së për kryetarë të Kërçovës, Fatmir Dehari; ai i Bogovinës, Besnik Emshiu, dhe kandidati për kryetar të Studeniçanit, Ejup Abazi.
GYLTENE SINANI
