Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Mickoski: Mbështesim Qyrën për Strugën

30.10.2025 18:27

Mickoski ka shprehur përkrahje për kandidatin e pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qyra....

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shprehur përkrahje për kandidatin e pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qyra. Mickoski, me këtë rast, rikonfirmon mbështetjen e partisë së tij. Tha se nuk është fshehtësi se VMRO-DPMNE dhe koalicioni e mbështesim Mendi Qyrën dhe nuk presin kurrfarë befasish, por presin fitore. Sipas tij, në Strugë përballen dy koncepte, ai që i takon të kaluarës dhe koncepti i së ardhmes, që e përfaqëson Mendi Qyra.
 
VLEN: Nuk qëndrojnë akuzat e Selës për presion
 
Nga ana tjetër, koalicioni VLEN ka akuzuar kreun e ASh-së, Ziadin Sela, se po tenton të krijojë situatë, kinse për presione në Strugë. Tentimet për të krijuar situatë në Strugë, ku realisht nuk ka dhe as mund të ketë, janë dëshpëruese dhe asociojnë me koalicionin që me meritë mban emrin treshja në agoni Ahmeti, Taravari dhe Sela. Çdo përpjekje për ta lidhur koalicionin VLEN apo kandidatin që përkrahim, Mendi Qyrën, me çfarëdo tensioni të stisur, është e pavërtetë dhe jashtë çdo logjike politike, theksojnë nga VLEN.
 
Lëvizja “E di” vazhdon fushatën në takime me qytetarët
 
Ndërkohë nga Lëvizja “E di” vazhdojnë fushatën në takime me qytetarët në Komunën Qendër të Shkupit dhe në Kumanovë në kërkim të mbështetjes së qytetarëve për kandidatët e tyre për kryetarë në këto dy komuna.