Maqedoni

Përmbyllet fushata elektorale, Nuhiu: Fushata korrekte, me gërshetim ofertash

31.10.2025 14:05

Përmbyllet fushata e zgjedhjeve lokale të rrethit të dytë....

Përmbyllet fushata e zgjedhjeve lokale të rrethit të dytë. Nga mesnata do të nisë heshtja zgjedhore dhe zgjat deri të dielën me mbylljen e kutive të votimit. Kandidatët e komunave që shkuan në balotazh patën mundësinë që të fitojnë besimin e qytetarëve. Sipas politologut, Qani Nuhiu, fushata ishte korrekte, më pak e ngarkuar.
 
“Ka pasur më tepër aktivitete brendapartiake, brenda partive politike për mobilizim të tyre se sa në terren, mandej prezantimet mediale gjithsesi se kanë qenë në nivel dhe kanë qenë në rregull. Ka funksionuar të themi kushtimisht e ashtuquajtura diplomaci partiake, pra kontaktet mes partive për koalicionime edhe aleanca, por nuk kanë munguar as akuzat.”, -  deklaroi politologu, Qani Nuhiu.
 
Por, sa kanë zënë vend projektet lokale në propagandën e tyre zgjedhore, Nuhiu thekson se ka gërshetim të elementeve lokale, por edhe politika të përgjithshme. Sipas tij, momenti i mirë është se nuk janë shënuar incidente.
 
“Edhe pse natyra e zgjedhjeve lokale është që të formulojnë politika lokale, të prezantojnë projekte dhe ide për zhvillim lokal, përsëri nuk është mundur t’i iket tërësisht politikës së madhe partiake dhe shtetërore, d.m.th. kanë kombinuar edhe ato tema në situata të caktuara. Pra, mund të themi se fushata në këtë pjesë, po ashtu si edhe në pjesën e parë, por edhe tani, nuk ka qenë e fokusuar te politikat publike lokale apo projektet lokale, por ka pasur edhe një politizim të caktuar.”, - theksoi politologu, Qani Nuhiu. 
 
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale votohet në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërkaq në tre vendvotime në Komunën e Shuto Orizares do të ketë rizgjedhje për këshilltarë komunalë. Të shtunën votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak, aplikimet e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale. Në raundin e parë, u zgjodhën këshilltarë në 79 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe kryetarë komunash në 44 komuna që tashmë kanë marrë detyrën.
 
MERAL ISMAILI