Botë

Armëpushimi në Gazë nën presion, Netanjahu kërcënon: Do të veproj më fuqishëm

31.10.2025 14:31

Izraeli ktheu trupat e 30 palestinezëve në Gazë nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar...

Izraeli ktheu trupat e 30 palestinezëve në Gazë nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve. Nga ana tjetër, edhe Hamasi ka dorëzuar trupat e dy pengjeve të tjera. Deri më tani janë kthyer 15 pengje, ndërsa vijon kërkimi për edhe 13 të tjerë, edhe pse me shumë vështirësi, pasi armëpushimi në Gazë mbetet në provë. Dy ditët e fundit janë regjistruar sulme me dhjetëra të vrarë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, fajëson Hamasin për shkeljen e armëpushimit, pavarësisht se ushtria izraelite vrau mbi 100 civilë brenda një dite.
 
“Nëse Hamasi vazhdon ta shkelë armëpushimin, do të përballet me sulme të fuqishme, si ato të pardjeshme dhe të djeshme. Ne vendosim dhe veprojmë kur është e nevojshme për të eliminuar rrezikun e menjëhershëm ndaj forcave tona. Në fund, Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të demilitarizohet. Nëse këtë e bëjnë forcat e huaja, aq më mirë. Nëse jo, do ta bëjmë ne.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
OKB: Izraeli pengon hyrjen e ndihmave humanitare
 
Hamasi u përgjigj se nuk e ka thyer asnjëherë armëpushimin. Sipas tyre, Izraeli kërkon pretekst për të vrarë njerëz të pafajshëm. Ndërsa Izraeli kërcënon me sulme të mëtejshme, përpjekjet humanitare për të ndihmuar civilët në Gazë vazhdojnë të pengohen nga veprimet e këtij shteti, duke e vënë armëpushimin dhe shpëtimin e njerëzve në rrezik, thonë nga OKB.
 
“Zgjerimi i operacioneve humanitare në Gazë po pengohet nga kufizimet e vendosura nga Izraeli, i cili detyron konvojët të kalojnë rrugë të ngushta dhe të dëmtuara. Pavarësisht përpjekjeve të OKB-së dhe partnerëve, shpërndarja e ushqimit dhe karburantit mbetet e kufizuar dhe shumë njerëz nuk marrin ndihmën e nevojshme. Mbi gjysmë milioni njerëz kanë marrë ushqim, por kjo mbulon vetëm 35% të nevojave mujore. Kufizimet e Izraelit pengojnë edhe furnizimin me shërbime mjekësore dhe energji për operacionet kritike.”, - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
 
Pavarësisht sulmeve dhe incidenteve në Gazë, si Hamasi ashtu edhe Izraeli pohojnë se mbeten të përkushtuar ndaj marrëveshjes për armëpushim të arritur me ndërmjetësimin e ShBA-së. Ndërkohë, mijëra hebrenj ortodoksë protestuan mbrëmë në Jerusalem kundër rekrutimit të të rinjve nga komuniteti i tyre në shërbimin ushtarak.
 
FARIJE DAUTI BAKIU