Maqedoni
Fondi për Sigurim Shëndetësor, nga nëntori ilaçi “Clexane” në listën pozitive
31.10.2025 15:00
Barnat kundër mpiksjes së gjakut "Enoksaparin" dhe "Nadroparin", të njohura si "Clexane"...

Barnat kundër mpiksjes së gjakut "Enoksaparin" dhe "Nadroparin", të njohura si "Clexane", do të jenë në listën pozitive të barnave nga fundi i nëntorit, informoi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski. Këto barna mund të përdoren si trajtim i zgjatur në shtëpi, pas trajtimit ambulantor ose spitalor.
"Këto barna më parë ishin në listën pozitive B dhe për trajtim në shtëpi, qytetarët duhej të përdornin refundim. Deri në fund të nëntorit, këto dy barna do të jenë të disponueshme në farmaci me recetë. Këtu kemi një përfitim të dyfishtë. Qytetarët, pacientët nuk do të duhet të shkojnë në sportele për të marrë refundim për këto barna. Dhe e dyta është se do të kemi më pak presion për të punuar dhe do të jemi në gjendje të përqendrohemi në çështje të tjera. Ky është një hap tjetër në transferimin e barnave nga spitali në listën e farmacisë dhe do të pasojnë hapa të rinj. Unë kam njoftuar tashmë se antikoagulantët janë në këtë fazë, sepse trajtojnë një gamë të gjerë të pacientëve në nevojë.", - deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
Nga FSSh-ja thonë se varësisht nga doza, deri më tani një ampulë “Clexane” ka kushtuar mbi 200 denarë me një raport nga specialist, ndërsa nga viti i kaluar kanë filluar me futjen e barnave në listën pozitive.
“Lista pozitive e barnave, pra barnat që mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, u rishikua për herë të fundit vitin e kaluar në gusht, pasi nuk ishte rinovuar për 13 vjet. Vitin e kaluar, 9 gjenerikë të rinj u shtuan në listën e barnave pozitive, e cila është 87 barna me emra dhe forma të ndryshme. Midis tyre, janë barna për tension të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës, agjentë antitrombocitikë, barna për trajtimin e depresionit, si dhe për demencën.”, - theksoi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
Klekovski tha se ende nuk dihet se sa do të kushtojë participimi i qytetarëve, sepse janë në negociata me kompanitë që janë distributorë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
