ShBA, vazhdon bllokada e Qeverisë federale
Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara...

Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë në bllokadë. Demokratët dhe Republikanët ende nuk po arrijnë kompromis për propozimet e diskutueshme që lidhen me financimin e shërbimeve federale, programeve të mbrojtjes sociale dhe shëndetësore, si dhe sektorit të aviacionit.
Shteti i Nju Jorkut ka shpallur gjendje emergjente për shkak të mungesës së fondeve federale për programin e ndihmës ushqimore. Përplasja midis partive vazhdon pa shenja tërheqjeje.
“Ne po kërkojmë të miratojmë një projektligj të pastër për financim të përkohshëm që e mban qeverinë të hapur dhe ngrin financimet në nivelet aktuale. Është e papërgjegjshme të lejojmë mbylljen e Qeverisë vetëm për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Republikanët kanë bërë pjesën e tyre , tani Demokratët duhet të bëjnë gjënë e duhur dhe të votojnë për një masë jopartiake që mbron qytetarët dhe siguron funksionimin e institucioneve federale.”, - theksoi kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të ShBA-së nga Republikanët, Majk Xhonson.
Ndërsa Republikanët kërkojnë miratimin e një zgjidhjeje të përkohshme për të shmangur pasojat ekonomike të bllokadës, Demokratët këmbëngulin në një marrëveshje më të gjerë që mbron programet sociale dhe shëndetësore.
“Për ne nuk ka kalkulime politike. Ne e zhvillojmë këtë betejë, jo për arsye partiake, por sepse po përpiqemi të përmirësojmë cilësinë e jetës së popullit amerikan. Ne jemi këtu në Kongres, të gatshëm të ulemi me këdo, në çdo kohë dhe në çdo vend, për të arritur një marrëveshje dypartiake për shpenzimet që i shërben popullit amerikan, që shmang mbylljen e Qeverisë dhe e mban atë të hapur.”, - u shpreh lideri i pakicës në Dhomën e përfaqësuesve, Hakim Xhefris.
Mbyllja e Qeverisë federale sipas zyrës së Buxhetit të Kongresit, deri tani i ka kushtuar ekonomisë amerikane 18 miliardë dollarë. Ekspertët paralajmërojnë se nëse bllokada vazhdon edhe për disa javë, dëmi mund të dyfishohet, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregjet financiare dhe në pagesat për punonjësit federalë.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po kërkon mënyra emergjente për të mbajtur funksionale shërbimet më jetike, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe sigurinë ajrore. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
