Stuhi e fuqishme në Meksikë, raportohet për 10 të vdekur

25.05.2015 19:44

Së paku dhjetë persona raportohet se kanë vdekur nga një stuhi e fuqishme në qytetin verior Ciudad Acuna në Meksikë...

Qindra shtëpi janë shkatërruar në këtë qytet, që është në kufi me Del Rion e Teksasit.

“Ka makina që përplasen me ndërtesa, njerëz të vdekur që janë të shtrirë në rrugë, është një kaos i vërtetë”,- citohet Rosario Ramirez, një qytetar i Ciudad Acuna nga gazeta lokale "La Jornada".

Dëshmitarët kanë thënë se një autobus është përmbysur nga erërat e forta, por aty nuk raportohet për viktima.

Po ashtu, kryetari i bashkisë së qytetit, Evaristo Perez ka konfirmuar se një shtatë vjeçar është shpallur i humbur. Gjithashtu, është thënë se qindra qytetarë janë të lënduar dhe në pritje për të marrë ndihmën mjekësore.

“Njerëzit që kanë gjetur vdekjen, ishin ata të cilët kanë qenë në rrugë në momentin kur ka nisur tornadoja, jo ata të cilët ishin në shtëpitë e tyre në këtë kohë”,- është shprehur Perez.

Tornado është raportuar se ka filluar në orën 06:40 të mëngjesit me kohën lokale të Ciudad Acuna-s.