Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE përmbylli fushatën në Shkup
31.10.2025 17:00
Gjorgjievski përmbyllën fushatën duke kërkuar mbështetje masovike më 2 nëntor....

Kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe Koalicioni për Qytetin e Shkupit, Orce Gjorgjievski, përmbyllën fushatën, duke kërkuar mbështetje masovike më 2 nëntor. Vlerësoi se ai është dëshmuar si profesionist, i cili di se si duhet udhëhequr një komunë, ta shndërrojë atë në komunë urbane duke zbatuar dhjetëra projekte me rëndësi të madhe për përmirësimin e jetës së banorëve. Njëjtë do të veprojë edhe në Qytetin e Shkupit, u zotua Gjorgjievski, duke thënë se do të jetë dora e zgjatur e të gjithë qytetarëve në kryeqytet.
"Shkupi nuk ka nevojë për eksperimente, nuk ka nevojë për njerëz që ende nuk kanë mësuar se çfarë është vetëqeverisja lokale. Nuk ka nevojë për njerëz që ende nuk kanë zbuluar se çfarë është një plan i përgjithshëm urbanistik, çfarë është një plan i detajuar urbanistik, çfarë është një studim fizibiliteti, çfarë është një projekt kryesor dhe çfarë është planifikimi buxhetor. Këto nuk janë fjalë të zbrazura, por janë mjete përmes së cilëve po ndërtohet qyteti. Pa këto mekanizma, keni kaos, rrugë të bllokuara dhe deponi të egra. Qyteti ynë po kërkon një person që e di çfarë bën që nga dita e parë, sepse Shkupi nuk ka kohë për të humbur, as për të mësuar.”, - deklaroi kandidati për kryetar në Qytetin e Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u tha qytetarëve të Shkupit, se qëllimi i tij nuk është vetëm një fitore e thjeshtë politike, por është ripërtëritje e besimit se Maqedonia mund të jetë një vend më i mirë për jetesë. Tani shtoi ai, u hodhën themelet e këtij synimi, ndërsa më pas do të vijojë faza e punës së palodhur dhe rezultate të shkëlqyera me njeri adekuat profesionist me vizion të qartë, siç është Orce Gjorgjievski, i cili bashkërisht do të realizojë rreth 70 projekte të reja infrastrukturore në shumë fusha. Andaj Mickoski ftoi të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, politike dhe të pa përcaktuarve që të gjithë të votojnë Gjorvgjieskin.
“Tani, pas zgjedhjeve, fillon faza e punës së palodhur dhe rezultateve të mëdha. Në periudhën e ardhshme do të nisen më shumë se 70 projekte të reja të mëdha në fushën e infrastrukturës, energjisë, kujdesit shëndetësor, arsimit, bujqësisë, kulturës, teknologjisë, drejtësisë dhe fusha të tjera. Do të ketë edhe shkolla të reja, spitale moderne, masa për ajër të pastër, administratë digjitale dhe investime që duhet të sjellin paga të mira. Do të nisin një sërë masash konkrete që do të përmirësojnë jetën e njerëzve, do të forcojnë ekonominë dhe do të sjellin gjëra më të mira në çdo shtëpi.", - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski bëri thirrje që të dielën të votohen edhe kandidatët e tjerë të këtij koalicioni që garojnë në rrethin e dytë në 24 komuna, e sidomos në Karposh, Aerodrom, Shuto Orizarë, Qendër, Çuçer Sandevë. Për Kërçovën, Mickoski u tha banorëve se po përballen me një mundësi historike për të zgjedhur një kryetar komune nga radhët e këtij koalicioni, i cili do të promovojë përfshirjen dhe bashkëjetesën midis të gjithëve. Tha se këto zgjedhje nuk janë çështje etnie, por vlerash dhe përkushtimi të të gjithë banorëve të Kërçovës, në mënyrë që qyteti të bëhet simbol i unitetit dhe progresit.
REXHEP QAMILI
