Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Lëvizja “E di” kërkon votën në Qendër dhe Kumanovë

31.10.2025 17:07

Llabudoviq është zotuar se nëse fiton Komuna Qendër gjatë 4 viteve të ardhshme do të jetë e pastër, urbane dhe e sigurt....

Kandidati i Lëvizjes “E di” për Komunën Qendër, Mirosllav Llabudoviq, është zotuar se nëse fiton besimin e qytetarëve Komuna Qendër gjatë 4 viteve të ardhshme do të jetë e pastër, urbane dhe e sigurt.
 
“E di që së bashku mund ta kthejmë fytyrën e Qendrës ashtu siç e meriton, fytyrën e qytetit dhe fytyrën e shtetit tonë, Maqedonisë. Ajo që mund të them është se do ta justifikoj besimin e qytetarëve dhe se Qendra, për 4 vjet, do të jetë e pastër, e gjelbër, urbane dhe e sigurt. Prandaj, ju ftoj ju, qytetarët e Qendrës, që më 2 nëntor të dilni masivisht dhe t’i jepni mbështetje numrit 2.”, - deklaroi kandidati i Lëvizjes “E di” për Komunën Qendër, Mirosllav Llabudoviq.
 
Kandidati i Lëvizjes “E di” për Komunën e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka premtuar se do të vazhdojë të punojë për të gjithë qytetarët e Kumanovës pa dallim etnie.
 
“Kumanova meriton vazhdimësi, Kumanova nuk meriton improvizim. Gjatë fushatës shkoj nëpër fshatra, më thonë po punon në qytet, shkoj në qytet, më thonë po punon në fshatra. Shkoj te bashkëqytetarët e mi shqiptarë, më thonë po punon te maqedonasit, shkoj te maqedonasit e serbët e mi, më thonë po punon vetëm te shqiptarët. Por, një gjë është e qartë, të gjithë thonë se po punohet, dhe unë kam ndërmend, bashkë me ju, të vazhdoj të punoj.”, - theksoi kandidati i Lëvizjes “E di” për Kumanovën, Maksim Dimitrievski. 
 
Dimitrievski ka theksuar se gjatë 8 viteve të kaluara ka realizuar mbi 800 projekte dhe nëse e fiton besimin e qytetarëve do të vazhdojë atë numër të projekteve ta dyfishojë.
 
GAZMEND KURTISHI