Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, LSDM kërkon votën e qytetarëve në 17 komuna

31.10.2025 17:14

Gerasimovski premtoi zgjerimin e rrugës "Divizioni 50" dhe ndërtimin e garazheve në kate...

Në ditën e fundit të fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe deklaroi se më 2 nëntor, të dielën, çdo votë mund të bëjë ndryshim dhe i bëri thirrje qytetarëve të votojnë për pushtet lokal, që do të jetë gjithmonë i hapur për ta dhe për nevojat e tyre. Votoni dhe zgjidhni pushtet lokal që është vërtet në shërbim të qytetarëve, për kandidatë që nuk do t’ju mbyllin derën. Pas zgjedhjeve, ajo derë do të jetë e hapur për secilin, sa herë që ndonjë qytetar ka nevojë apo dëshiron të dëgjohet. Kjo është një votë për njerëz që i mbajnë premtimet dhe që do të punojnë me përkushtim dhe vendosmëri për të krijuar komuna dhe qytete më të mira në të ardhmen, tha Filipçe. Ai bëri thirrje për dalje masive në zgjedhje, që siç tha, të bie trendi i mbështetjes së kësaj garniture qeverisëse. VMRO-DPMNE humbi 140 mijë vota se populli nuk blihet dhe nuk nënçmohet, tha ai. Ndërkohë, në komunat ku LSDM nuk ka kandidat për kryetar komune në rrethin e dytë, Flipçe tha se nuk do të ketë kalkulime, por që çdo qytetar dhe anëtar i LSDM-së ka të drejtë të votojë sipas bindjes personale dhe për vlera që janë të afërta me socialdemokracinë. 
 
“Në rrethin e dytë kërkojmë mbështetje nga të gjithë qytetarët dhe nga të gjithë votuesit, pa marrë parasysh se për kë kanë votuar në rrethin e parë. U bëj thirrje edhe të gjithë kandidatëve që nuk kaluan në rrethin e dytë dhe mbështetësit e tyre të inkuadrohen në këtë luftë me mbështetje për këto politika me vlerë. Në komunat ku LSDM-ja nuk ka kandidatë në rrethin e dytë, dua të jem i qartë. Ne nuk do të hyjmë dhe as nuk kemi hyrë në kalkulime apo marrëveshje prapaskenash.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Kandidati i LSDM-së për Komunën Qendër, Goran Gerasimovski, premtoi zgjerimin e rrugës "Divizioni 50" dhe ndërtimin e garazheve në kate, ndërtimin e çerdhes së re, me çka hapësira do të jetë urbane, e gjelbër dhe lagje e sigurt për të gjithë banorët e Qendrës. 
 
“Fillojmë me rikonstruim të tërësishëm të rrugës “Divizioni 50”. Me këtë rruga do të ketë pamje bashkëkohore, do të jetë funksionale dhe e sigurt. Projekti parashikon lëvizje njëkahëshe, një zgjidhje e re për lëvizjen e trafikut rrugor, me çka do të përmirësohet lëvizja në komunikacion dhe do të krijohen parkingje të reja rezidente. Me zgjerimin e trotuareve vendosim barriera kundër parkimit ilegal, ndriçim të ri led dhe gjelbërim, rruga do të jetë më urbane, më e sigurt dhe më cilësore.”, - theksoi kandidati i LSDM-së për Komunën Qendër, Goran Gerasimovski.
 
Në rrethin e dytë LSDM garon në 17 komuna.
 
FLORIJE KAMBERI