Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, kandidatët e AKI-së shpalosin ofertat programore

31.10.2025 17:32

Rexhepi në përmbyllje të fushatës, u ka kërkuar përkrahësve të tij mobilizim që në ditën e zgjedhjeve të rrethit të dytë më 2 nëntor...

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi, në përmbyllje të fushatës, u ka kërkuar përkrahësve të tij mobilizim që në ditën e zgjedhjeve të rrethit të dytë më 2 nëntor, të sigurojnë fitoren, dhe siç tha ai, përfundimisht të largohet udhëheqësia aktuale e komunës, për shkak të dëmit që ia ka shkaktuar Tetovës oponenti i tij në mandatin e parë.
 
“Pasi jemi edhe në fund të fushatës, na duhet edhe një mobilizim, na duhet edhe një përkushtim. Kemi ardhur t’u themi faleminderit dhe t’u kërkojmë një angazhim edhe më të madh në raundin e dytë, sepse jemi të përkushtuar maksimalisht që të dalim fitues. Duhet këtë udhëheqësi ta largojmë një ditë e më parë, se dëmin që janë duke ia bërë Tetovës nuk i bëhet asnjë qyteti të okupuar, e jo qytetit tënd.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi.
 
Rexhepi fton të gjithë qytetarët që më 2 nëntor të dalin masivisht në zgjedhje, siç thotë ai, të mos bien pre e presioneve të ndryshme, shantazheve të ndryshme, e joshjeve të ndryshme që po bëhen në këtë periudhë, sepse ato janë vetëm zgjidhje të përkohshme. Ai tha se programi i tij ofron zgjidhje afatgjate për të gjitha problemet aktuale që tangojnë qytetin e Tetovës, përfshi ujin e pijshëm, duke garantuar tetovarët se do të kenë ujë të pijshëm 24 orë. Rexhepi njëherësh premton se nën drejtimin e tij, Tetova do të jetë një qytet shumë më i pastër, duke e përfshirë edhe zgjidhjen për mbetjet inerte. Po ashtu Rexhepi premton se do ta ndryshojë edhe metodologjinë e faturimit, që qytetarët për këtë shërbim të marrin fatura më të ulëta, pasi aktualisht, siç thotë ai, faturat për mbeturina janë të tejet të larta.
 
Ndërsa kandidati për kryetar të Komunës së Bogovinës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Besnik Emshiu, kërkon të rizgjidhet në këtë post, pasi siç thotë ai, ka realizuar një sërë projektesh, si asfaltimi i disa rrugëve dhe rregullimin e ujësjellësve.  Duke shpalosur programin e tij, Emshiu thotë se nëse merr edhe një mandat katërvjeçar ka në plan realizimin e projekteve të reja në infrastrukturë, ndërtimin e ujësjellësve dhe projekte në fushën e arsimit dhe sportit. 
 
“Projektet të cilat mendohet t’i realizojmë janë salla sportive në Bogovinë, rruga në fshatin Kamnik, rruga Kamjan-Sedllarcë, gjithashtu kemi rrugën e Jurisë, si dhe kemi shumë kanale të fituara, mirëpo njëri ndër projektet më të rëndësishme që mendohet të realizohet në mandatin tjetër është megaprojekti për ujë, për pije për disa vendbanime.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Bogovinës, Besnik Emshiu.
 
Përveç Bajram Rexhepit në Tetovë dhe Besnik Emshiut në Komunën e Bogovinës, votën për kryetarë komunash në rrethin e dytë të zgjedhjeve si kandidat të Aleancës Kombëtare për Integrim e kërkojnë edhe Arsim Dalipi në Strugë, Fatmir Dehari në Kërçovë, dhe në Komunën e  Studeniçanit postin e kryetarit e synon Ejup Abazi. 
 
GYLTENE SINANI