Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, kandidatët e VLEN-it shpalosin ofertat programore

31.10.2025 17:55

Kasami premton se nëse rizgjidhet në postin e kryetarit, Tetova do të ketë një hov të ri të zhvillimit.

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga Koalicioni VLEN, Bilall Kasami, premton se nëse rizgjidhet në postin e kryetarit, Tetova do të ketë një hov të ri të zhvillimit. Sipas tij, kjo do të mund të arrihet me investime në sektorin e turizmit, përkatësisht zhvillimin e Kodrës së Diellit, ku Kasami paralajmëron ardhjen e një investitori serioz global.
 
“Kemi kontaktet e para me një investitor serioz, do të kisha thënë global dhe përfundimisht kjo qendër turistike do të jetë qendër e zhvillimit ekonomik, jo vetëm lokal, por edhe në nivel shtetëror. Me depërtimin e bulevardeve, dy segmenteve të fundit të dy bulevardeve, Ilindenit këtu nga Qendra, nga posta e qytetit e deri te stadiumi dhe bulevardit “Bllagoja Toska”, nga shkolla tekstile deri tek lokacioni që njihet si “Mezma”, përfundimisht e hapim qytetin dhe të gjitha rrugët kryesore, bulevardet po depërtohen.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kasami ka paralajmëruar edhe investime në shkolla, duke theksuar se tanimë dy shkolla të mesme po ndërtohen, po ashtu edhe ndërtimin e shkollave fillore. Bazuar në strategjinë për zhvillim të arsimit, Kasami thotë se brenda pesë vitesh pretendon në Tetovë të ketë mësim tërëditor. Ai njëherësh paralajmëron edhe investime në sport, duke premtuar se brenda dy vitesh do të përfundojnë punimet për stadiumin e qytetit, në të cilin do të mund të zhvillohen edhe ndeshje ndërkombëtare. Po ashtu, sipas Kasamit, në qendrën sportive do të ketë dy stadiume moderne për ekipet futbollistike të Tetovës. Ai njëherësh tha se dy pishina janë në ndërtim e sipër, ndërsa tha se do të ndërtohen gjithsej katër pishina. Po ashtu Kasami tha se do të investojë edhe në ndërtimin e sallave sportive, që Tetova të ketë një rini aktive që merret me sport.
 
Edhe kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës nga koalicioni VLEN, Haqim Ramadani, kërkon që më 2 nëntor qytetarët t’i japin një mandat katërvjeçar për drejtimin e kësaj komune, ndërsa premton angazhim maksimal në shërbim të komunës dhe banorëve të saj. Ai premton se investimet në këtë komunë në çdo vendbanim do të jenë sipas numrit të popullsisë.
 
“Çka na duhen rrugët, çka na duhen rrugicat, në qoftë se ne nuk bëjmë atraksione, ta mbajmë rininë këtu, përmes zhvillimit, përmes krijimit të zonave ekonomike, që të përfitojmë me një lëvizje të vogël. Tre benefite i ka komuna, fillimisht një mërgimtar e kthen të investojë këtu, e dyta është që 10 persona të rinj nuk u jep mundësi të dalin jashtë në Evropë dhe e treta të rrisësh arkën e Komunës së Bërvenicës.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Haqim Ramadani.
 
Ramadani tha se kundërkandidati i tij, Jovica Ilievski, mandatin e kaluar si kryetar komune nuk ka investuar fare në vendbanimet shqiptare. Koalicioni VLEN, përveç në Tetovë dhe Bërvenicë, me kandidatët e saj në rrethin e dytë garon edhe në Komunën e Dollnenit me Blerim Islamin, në Dibër me Fisnik Melën dhe në Bogovinë me Feti Abazin. Po ashtu VLEN-i mbështet edhe kandidatët e pavarur në Komunën e Strugës dhe Studeniçanit, Mendi Qyra dhe Azem Sadiki. 
 
FITORE DEMOLLI