Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, rrethi i dytë: Sot votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

01.11.2025 14:47

Maqedonia e Veriut nga mbrëmë në mesnatë në heshtje zgjedhore...

Maqedonia e Veriut nga mbrëmë në mesnatë në heshtje zgjedhore dhe  do tëzgjasë deri në orën 19:00 të dielën, kur do të mbyllen qendrat e votimit në komunat në vend ku po zhvillohet votimi në raundin e dytë, ndërkaq të drejtë vote në rrethin e dytë kanë gjithsej 1,013,357.
 
Zgjedhjet për kryetar komune do të mbahen në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa zgjedhja për këshilltarë do të përsëritet në tre qendra votimi në Komunën Shuto Orizarë për shkak të parregullsive të identifikuara në votimin e 19 tetorit.
 
Ndërkohë sot realizohet votimi i personave të sëmurë ose të pafuqishëm, i personave që vuajnë dënim me burg ose janë në paraburgim, si dhe i atyre që janë regjistruar për të votuar dhe janë të vendosur në institucione për kujdes jashtëfamiljar, njoftojnë nga KSHZ-ja.
 
"Gjithsej 4.826 persona të sëmurë ose të pafuqishëm mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Duke filluar nga ora 7:00, në 14 institucione korrektuese - përmirësuese, të drejtën e votës mund ta realizojnë 1.256 persona që po vuajnë dënim me burg ose janë në paraburgim. 214 persona të vendosur në institucionet për kujdes jashtëfamiljar mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës në gjithsej 13 qendra për kujdes jashtëfamiljar. Votimi ka filluar sot në orën 7 të mëngjesit dhe po zhvillohet pa pengesa në të gjitha komunat dhe në Qytetin e Shkupit", thuhet në kumtesën e KSHZ-së.
 
Votimi gjatë ditës për të gjitha kategoritë  që kanë të drejtë të votojnë po realizohet në terren dhe pa probleme deklaroi kreyetari I KSHZ-së Boris Kondarko.
 
“As zyrtarisht as jozyrtarisht nuk kemi marrë asnjë lloj informacioni për ndonjë vështirësi apo problem eventual. Me kohë ka filluar votimi, nuk ka problem as me materialin zgjedhor as me organet zgjedhore, as vërjetje, as ankesë apo informacione të tjera të cilat do t’i kishim ndarë.Nga votimi i sotëm nuk dalin rezultatet. Secila votë e sotme vëndohet në zarf të veçantë dhe i bashkangjitet rezultateve të votimit të nesërm”, u shpreh kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.
 
Ndërkohë, të dielën nuk do të ketë votime në katër komuna Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë – Rostushë dhe Qendër Zhupë pasi nuk u arrit cenzusi i nevojshëm, pjesëmarrje ligjore prej të paktën një të tretës të votuesve të regjistruar.
 
Zgjedhjet e reja në këto katër komunat  sipas Kodit Zgjedhor do të mbahen 60 ditë pasi të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale.Procesin zgjedhor do ta ndjekin 1.598 vëzhgues, prej tyre 933 të huaj dhe 651 ndërkombëtar.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU