Maqedoni
Strugë, votojnë të sëmurët dhe të burgosurit
01.11.2025 15:23
Në Komunën e Strugës, sot po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës 422 persona...

Në Komunën e Strugës, sot po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës 422 persona të sëmurë dhe 3 të burgosur, thonë nga Komisionit Komunal Zgjedhor. Këta qytetarë do të votojnë në kushte të veçanta, në përputhje me procedurat ligjore që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të kategorive të veçanta të votuesve.
“Procesi zgjedhor ka filluar me kohë, po zhvillohet në mënyrë të rregullt. Komisionet zgjedhore dorëzojnë materialet brenda afatit ligjor, të gjitha komisionet janë në teren, sot po votojnë të sëmurët dhe të burgosurit. Gjithsej janë regjistruar 422 të sëmurë dhe tre persona që vuajnë dënime me burg. Deri më tani nuk kemi asnjë parregulli të raportuara”, u shpreh Katerina Çaljakoski, antare e KKZ-Strugë.
“Sot në burgun tonë është ditë votimi.Nga KKZ ishin antarët e këtij komisioni. Votimi zgjati deri në orën 10 e gjysëm. Votimi u zhvillua në mënyrë demokratike dhe fer pa presione. Nga personat e dënuar votuan tre persona të cilët ishin të pranishëm”, theksoi derjtori i burgut në Strugë, Ardit Mustafai.
Sipas të dhënave zyrtare, marrja e materialit zgjedhor është zhvilluar pa ndërprerje, pas së cilës ka filluar edhe procesi i votimit në shtëpitë e personave të sëmurë.
Zgjedhjet në Strugë po zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe pa incidente, ndërsa autoritetet zgjedhore theksojnë rëndësinë e respektimit të të drejtës kushtetuese për votë të çdo qytetari, pa dallim. Në territorin e Komunës së Strugës, qytetarët do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës në 101 vendvotime.
FITORE ISTREFI
