Botë
Ukrainë, Rusia vazhdon sulmet në të gjithë Ukrainën
01.11.2025 16:00
Pentagoni ka deklaruar se mund ta furnizojë Ukrainën me raketa Tomahawk...

Pentagoni ka deklaruar se mund ta furnizojë Ukrainën me raketa Tomahawk pa rrezikuar furnizimet amerikane, por vendimi përfundimtar i mbetet presidentit Trump, i cili më parë kishte përmendur rezervat si një arsye për mosdërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Kiev.
Ndërkohë derisa pritet vendimi i Uashingtonit, Rusia vazhdon sulmet e saj në të gjithë Ukrainën. Sërish viktima dhe të plagosur në Poltava, Dnipropetrovsk dhe Çernihiv. Disa pjesë të Sumit mbeten edhe më tej pa energji pas sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike.
“Jemi mirë, nuk jemi të plagosur, por shtëpia jonë është dëmtuar”, u shpreh banorja e lagjes.
Luftime të ashpra po zhvillohen gjithashtu në vijën e frontit në qytetin kyç lindor të Pokrovskut. Moska pretendon se forcat ukrainase janë të rrethuara, Kievi e mohon këtë.
“Situata në Pokrovsk është e vështirë. Rreth 170,000 ushtarë të armikut janë përqendruar në atë drejtim, shumë në të vërtetë, por nuk ka ndryshime në qytet. Ka rusë, por ata po shkatërrohen, po shkatërrohen gradualisht”, theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ndërsa Moska raporton se janë kapur dhjetëra dronë ukrainas, Kievi ka zbuluar se shërbimi i inteligjencës ukrainase ka kryer një operacion special dhe ka çaktivizuar tubacionin kryesor rus të naftës "Koltsevoj" që furnizon qendrat kryesore industriale në Rusi.
"Që nga fillimi i vitit, kemi pasur 160 sulme të suksesshme ndaj impianteve të prodhimit dhe rafinimit të naftës. Që nga shtatori dhe tetori i këtij viti, 20 impiante", u shpreh kreu i shërbimit të sigurisë ukrainase Vasyl Malyuk.
Në të njëjtën kohë, Ukraina njoftoi se kishte koordinuar punën me aleatët perëndimorë mbi paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës dhe se Brukseli tashmë po përgatit atë të radhës.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
