Maqedoni
Britani, sulm me thikë në tren: Plagosen 10 pasagjerë, nëntë në gjendje kritike
02.11.2025 12:44
Tronditet Britania nga një sulm i përgjakshëm në një tren pasagjerësh...

Tronditet Britania nga një sulm i përgjakshëm në një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Donkaster drejt Londrës. Persona të armatosur me thikë u hodhën mbi pasagjerët, duke lënë pas dhjetë të plagosur, nëntë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.
Treni u ndal me urgjencë në Hantingdon - Kembridgshir, ku forcat e armatosura ndërhynë brenda pak minutash dhe arrestuan dy të dyshuar.
“Dhjetë persona ndodhen në spital, nëntë prej tyre janë shumë rëndë të plagosur, dhe mendimet tona janë me ta dhe me familjet e tyre të afërta. Kjo ngjarje ka qenë tronditëse dhe shumë pranë meje personalisht. Unë isha në të njëjtin shërbim të trenit me bashkëshorten time,Xheki , vetëm disa orë përpara sulmit, është linja që e përdor çdo javë për t’u kthyer në shtëpi në Rotherham", u shpreh John Healey ministri i mbrojtjes, Mbretëria e Bashkuar.
Dëshmitarët në tren përshkruan skena kaosi dhe tmerri, teksa një sulmues me një thikë të madhe qëllonte pasagjërët në tren.
“Fillimisht dëgjova të bërtitura që vinin të paktën një ose dy vagonë më poshtë. Një minutë më vonë, një burrë vraponte nëpër korridor me një plage në krahë që i rridhëte gjak, fillimisht mendova se ishte një shaka për Halloween, por ai filloi të bërtiste që dikush kishte një thikë, se ishte therur. Ikëm të gjithë në vagonat e para”, theksoi dëshmitarja Wren Chambers.
“Të gjithë shtynin nga pas në vagona, njerëzit ishin në panik..Vendosa dorën mbi një karrige për t’u shtyrë përpara, dhe kur e pashë dorën time, ishte e mbuluar me gjak. Pastaj pashë karrigen, edhe ajo plot me gjak. Pashë përpara, kishte gjithandej gjak nëpër ulëse. Atëherë kuptova që situata ishte shumë serioze”, u shpreh dëshmitari okular Olly Foster.
Autoritette njoftuan se janë arrestuar dy persona, një 32-vjeçar shtetas britanik me origjinë afrikane dhe një 35-vjeçar gjithashtu shtetas britanik me origjinë nga Karaibet.
“Oficerë të armatosur u futën në tren dhe arrestuan dy persona. Brenda tetë minutash nga momenti që u bë telefonata, dy burra u vunë në pranga dhe u dërguan në paraburgim. Të dy u arrestuan nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Vazhdojmë të punojmë me ritme të shpejta për të zbuluar plotësisht rrethanat dhe motivet që kanë çuar në këtë ngjarje”, theksoi officeri i policisë së transportit britanik John Loveless.
Kryeministri Kir Starmer e ka cilësuar ngjarjen “të tmerrshme” dhe “thellësisht shqetësuese”. Krimet me thikë në Angli dhe Uells janë në rritje që nga viti 2011, duke u bërë një “krizë kombëtare”.
Qeveria laburiste ka nisur fushata për t’i frenuar, duke konfiskuar ose marrë dorëzimin e afro 60 mijë thikave në gjithë vendin.
FARIJE DAUTI BAKIU
