Botë
Armëpushim i brishtë në Gazë, Netanjahu kërcënon se do të godasë sërish
03.11.2025 15:09
Ushtria izraelite ka shkelur përsëri armëpushimin, duke nisur sulm ndaj qytetit Kan Junis në jug të Rripit të Gazës...

Ushtria izraelite ka shkelur përsëri armëpushimin, duke nisur sulm ndaj qytetit Kan Junis në jug të Rripit të Gazës, menjëherë pasi u dorëzuan trupat e tre pengjeve të tjerë nga Gaza. Më herët kryeministri izraelit kërcënoi se do të shkatërrohen edhe bastionet e fundit të Hamasit në Rafah dhe Kan Junis. Benjamin Netanjahu mohoi se Izraeli kërkon leje nga ShBA-ja për veprimet e tij, duke iu përgjigjur kritikave, se Uashingtoni ka rol vendimtar në veprimet që lidhen me zhvillimet në Gazë.
“Nëse dikush përpiqet të dëmtojë forcat tona, ne do t’i godasim fuqishëm, ashtu edhe organizatat e tyre për t’u mbrojtur dhe jemi të vendosur në këtë. Ne i njoftojmë miqtë tanë amerikanë, por nuk kërkojmë leje nga ta. Çarmatimi i Hamasit dhe demilitarizimi i Rripit të Gazës janë parimet që ndjekim dhe që janë dakorduar mes meje dhe presidentit Tramp dhe në këtë kornizë veprojmë.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, akuzoi Izraelin si shkaktarin kryesor për prishjen e paqes.
“Gjatë dy viteve të fundit, Gaza ka qenë dëshmitare e një prej gjenocideve më të egra dhe barbare të këtij shekulli. Më shumë se shtatëdhjetë mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë masakruar nga forcat izraelite të pushtimit, ndërsa njëqind e shtatëdhjetë mijë vëllezër e motra tona janë plagosur. Gaza, e cila tani është kthyer në një grumbull gjigant rrënojash, ende mban trupa dëshmorësh që nuk janë gjetur. Izraeli që e beri këtë krim, vazhdon të pengojë paqen në Lindjen e Mesme duke vazhduar sulmet.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Ndërkohë ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve: Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezia, Katari, Pakistani, Arabia Saudite dhe Jordania, që morën pjesë në takimin për Gazën me Donald Trampin u mblodhën përsëri në Stamboll nën udhëheqjen e Turqisë. Samiti, i kryesuar nga Hakan Fidan, u fokusua në arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Gazë dhe në shtimin e ndihmës humanitare për civilët. Pavarësisht armëpushimit të vendosur në letër, Izraeli ka vazhduar sulmet në Gazë, duke vrarë qindra civilë, që nga 10 tetori.
FARIJE DAUTI BAKIU
