Maqedoni
Rezultati zgjedhor, partitë me vlerësime, morën mesazhin qytetar
03.11.2025 15:35
Partitë politike me vlerësimet rreth rezultatit zgjedhor....

Partitë politike me vlerësimet rreth rezultatit zgjedhor. VLEN-i, i cili fitoi 9 komuna plus një Strugën, përmes përkrahjes së kandidatit të pavarur, e lexon rezultatin si nisje të politikës së përgjegjësisë, që matet me punë, me përulësi dhe me respekt për qytetarin. Ata konsiderojnë se shqiptarët i dhanë fundin epokës së Ahmetit, duke i hapur rrugën një vizioni të ri për politikën shqiptare. Bilall Kasami, fituesi në Tetovë, tha se qytetarët bënë zgjedhjen e duhur.
“Nga dita e nesërme ne vazhdojmë të punojmë, të sakrifikojmë, të angazhohemi, që e gjithë kjo fitore që qytetarët nga Kumanova deri në Strugë të kenë një jetë më të mirë dhe u garantojmë që nuk kanë gabuar që Aliun e dërguan në pension. Integristët paralajmëruan rifillim më të fortë, por pasi të rinovojnë radhët e tyre.”, - deklaroi Bilall Kasami nga VLEN.
“Humbja e disa pozicioneve në nivel të kryetarëve të komunave është një thirrje për t’u forcuar strukturat, për t’u ofruar më shumë me njerëzit dhe për të përmirësuar mënyrën se si menaxhohen politikat lokale.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Edhe Arben Taravari, pjesë e koalicionit AKI, me një shkrim ka reflektuar mbi kandidaturat lokale.
“Ne si koalicion kemi më shumë vota popullore, por nuk kemi kryetarë. Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Gjithsesi në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë, aty jemi fitues dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por aty fituam kundër një shteti që na mban peng me census.”, ka shkruar Taravari.
Komuna e Kërçovës dhe Bërvenica kaluan në duart e VMRO-DPMNE-së. Kandidati i VLEN-it, Haqim Ramadani, pas humbjes në Bërvenicë ka dhënë dorëheqje nga të gjitha organet partiake dhe postet shtetërore.
VMRO fitoren në këto dy komuna e ka mbivlerësuar, sikurse edhe ngadhënjimin në balotazh në komunat Karposh dhe qytetin e Shkupit. VMRO fton LSDM-në dhe BDI-në të reformohen.
“Maqedonisë i nevojitet opozitë konstruktive, e cila do të japë kritikë të argumentuar dhe mbështetje të reformave. Ndryshimet kadrovike të disa njerëzve në LSDM nuk është reforma, e cila u nevojitet. Problemi në LSDM është Filipçe, pasi është dorë e zgjatur e Zaevit dhe për sa të jetë kështu, LSDM-ja do të përmbytet.”, - u shpreh Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.
Socialdemokratët morën mesazhin e këtyre zgjedhjeve dhe tani paralajmërojnë se do të shkojnë në reforma direkte brenda partisë.
“Këto zgjedhje për LSDM-në janë udhërrëfyes, gjithashtu edhe për mua si kryetar i partisë. Është e qartë se çfarë ndryshimesh duhet të bëhen, politike dhe kadrovike. Ditëve në vijim do të mblidhet komiteti ekzekutiv dhe do të ketë ndryshime. Gjithashtu do të planifikojmë edhe organizimin e kongresit dhe do të diskutohen politikat për periudhën që vijon.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
E Majta ftoi votuesit e LSDM-së që t’u bashkëngjiten për të fituar VMRO-në në parlamentaret. Në vijim do të kërkojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, me qëllim që të fitojë përfaqësues të tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, në të kundërtën paralajmëruan trazira politike në Parlament.
MERAL ISMAILI
