Botë
Indi, 800 të vdekur nga i nxehti
26.05.2015 15:13
Së paku 800 njerëz kanë vdekur nga vala e të nxehtit që ka përfshirë Indinë me temperatura deri në 48 gradë celsius në disa zona...

Vala e të nxehtit dhe thatësirës, që ka përfshirë veriun e Indisë dhe juglindjen e saj, ka shkaktuar vdekjen e mbi 165 personave vetëm ditën e diel, duke e çuar në 800 totalin e viktimave.
Lajmin e bëri të ditur e përditshmja “Times of India”, sipas të cilës, i nxehti me temperaturat që arrijnë mbi 47 gradë, vazhdon të mbysë kryesisht shtetet juglindore, Andhra Pradesh dhe Telangana, ku dhe janë regjistruar shumica e viktimave.
Por, edhe në pjesë të tjera të Indisë, si për shembull në zonat veriore të saj, zhiva e mërkurit ka arritur rekorde të reja, kryesisht në Utar Pradesh dhe Orisa.
Meteorologët indianë parashikojnë tre ditë të tjera me mot të qëndrueshëm, pa ndonjë rënie të ndjeshme të temperaturave maksimale.
Probleme janë verifikuar edhe në kryeqytetin Nju Delhi, ku disa dhjetëra persona janë shtruar në spital si pasojë e shqetësimeve të shkaktuara nga i nxehti.
Sipas mjekëve, i nxehti ekstrem shkakton një “djegie të brendshme” të qelizave, gjë që shkakton fikjen e trurit.
