Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, OSBE/ODIHR: Fushata ishte konkurruese

03.11.2025 15:54

Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut...

Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut u ofroi votuesve një zgjedhje mes alternativave politike dhe fushata ishte përgjithësisht konkurruese, por jo të gjithë kandidatët kishin kushte të barabarta.
 
Ata shtuan se, megjithëse ligji zgjedhor mbulon disa aspekte të raundit të dytë, ende mungojnë rregullime të qarta për disa çështje kyçe dhe nuk ka afate e udhëzime të detajuara për përgatitjet teknike të votimit.
 
“Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe fushata në tërësi mbeti konkurruese, por jo të gjithë patën kushte të barabarta. Ne e kemi ndjekur procesin zgjedhor që nga fillimi i shtatorit dhe ndonëse korniza ligjore siguron bazën teknike për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, ende ekzistojnë mospërputhje dhe dobësi të shumta.”, - deklaroi shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, Mateo Mekaci.
 
Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan gjithashtu se vazhdoi përfshirja e përfaqësuesve qeveritarë në procesin zgjedhor, si dhe, sipas tyre, edhe presionet e vazhdueshme ndaj votuesve dhe akuzat e shumta për blerje votash, gjë që paraqet shqetësim.
 
“Përfshirja e vazhdueshme e zyrtarëve të lartë qeveritarë në fushatë ka mjegulluar kufirin midis shtetit dhe partisë. Akuza për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe blerje votash vazhduan. Këto akuza kanë qenë prezente gjatë gjithë fushatës dhe institucionet përgjegjëse duhet t’i hetojnë thellësisht. Monitorimi i mediave gjatë raundit të dytë tregoi se mbulimi ishte përgjithësisht i balancuar, por shpërndarja e fondeve për reklama politike me pagesë favorizoi partitë e mëdha, duke vënë në disavantazh partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur.”, - theksoi shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, Mateo Mekaci. 
 
Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, sipas të dhënave të KShZ-së, u akredituan 1.622 vëzhgues, nga të cilët 957 vendas dhe 651 ndërkombëtarë, si dhe 14 gazetarë të huaj.
 
Sipas faqes zyrtare të KShZ-së, numri më i madh i vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve lokale 2025 është i ODIHR-it – Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut – me 500 vëzhgues të akredituar. Misioni i vëzhgimit të ODIHR-it për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut filloi më 5 shtator dhe do të qëndrojë në vend deri më 12 nëntor.
 
ARMEND MURSELI