Maqedoni

Rezultatet e zgjedhjeve lokale 2025, VMRO fitoi 55 komuna, VLEN 9+1, LSDM 6, AKI 4

03.11.2025 16:32

Me 55 komuna të fituara, VMRO-DPMNE është fituesi absolut i Zgjedhjeve Lokale...

Me 55 komuna të fituara, VMRO-DPMNE është fituesi absolut i Zgjedhjeve Lokale, 13 komuna më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Nga radhët e VMRO-DPMNE-së u zgjodh edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgievski, i cili mposhti kundërkandidatin nga partia E Majta, Amar Mecinoviq. I dyti me radhë me numrin më të madh të komunave të fituara është koalicioni VLEN, i cili në këtë zgjedhje lokale fitoi gjithsej 9 komuna dhe qytetin e Strugës, ku mbështetën kandidatin e pavarur, Mendi Qyra.
 
Këto zgjedhje lokale sollën fitore të koalicionit VLEN në Çair me kandidatin Izet Mexhiti, në Tetovë me Bilall Kasmin, në Dibër me Fisnik Melën, Haraçinë me Daut Beqirin, Saraj me kandidatin Muhamed Elmazi, Bogovinë me kandidatin Feti Abazi, në Zhelinë Blerim Sejdiu, në Tearcë me kandidatin Daut Memishi, në Dollnen me kandidatin Blerim Islami.
 
Pas koalicionit VLEN, me numrin më të madh të komunave të fituara radhitet LSDM-ja, e cila në këto zgjedhje fitoi 6 komuna: Komunën Qendër, Komunën e Zërnovcit, Komunën e Makedonska Kamenicës, fitore në rrethin e parë arriti në Bogdancë, Krivapallankë dhe në Krivogashtan.
 
Aleanca Kombëtare për Integrim fitoi gjithsej 4 komuna, prej të cilave 3 në rrethin e parë dhe 1 në rrethin e dytë. AKI shënoi fitore në Likovë me kandidatin Erkan Arifi, në Pllasnicë me kandidatin Alija Jaoski, në Çashkë me Suat Shakirov dhe në Studeniçan më kandidatin Ejup Abazi. Ndërsa nga një mandat për kryetar komune kanë fituar partia e "E di" me Maksim Dimitrievskin në Kumanovë, Unioni i Romëve me kandidatin Kurto Dudush në Komunën e Shuto Orizares, ndërkohë që E Majta mbeti pa asnjë komunë. 
 
“Tre deputetë nga përbërja aktuale u zgjodhën në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe kështu në vendin e tyre duhet të vijnë tre deputete të radhës. KShZ-ja në bazë të nenit 31 paragrafi 2, pika 23 nga Kodi Zgjedhor jep vërtetim për zgjedhjen e deputeteve në Kuvendin e RMV-së, Aleksandra Nikollovskës e përkatësisë maqedonase, Martin Stojanovski, i përkatësisë maqedonase dhe Mito Andonov i përkatësisë maqedonase.”, - theksoi kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.
 
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konstatoi se dalja në votime është më e ulëta e regjistruar ndonjëherë, të drejtës për votë iu përgjigjen vetëm 41.76 % e votuesve. Për shkak të mosarritjes së konsensusit, rivotim do të ketë në Komunën e Gostivarit, Qendër Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë.
 
Për të marrë pozitën kryetar komune, të gjithë kandidatët që fituan besimin e qytetarëve duhet të presin edhe disa ditë, deri sa të përfundojnë afatet për ankesa në KShZ dhe në Gjykatën Administrative.
 
FLORIJE KAMBERI