Botë

Tërmet i fuqishëm në Afganistan, mbi 20 të vdekur dhe 320 të plagosur

03.11.2025 17:18

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur...

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pas një tërmeti të fuqishëm që goditi veriun e Afganistanit. Bilanci i viktimave pritet të rritet, pasi nën rrënoja ka ende shumë njerëz dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në terren.
 
Tërmeti me magnitudë 6.3 goditi pranë qytetit Mazar-e-Sharif, një nga qytetet më të mëdha të vendit, me rreth 500 mijë banorë. Lëkundjet ndodhën në orën 01:00 të mëngjesit me orën lokale, në një thellësi prej 28 kilometrash, dhe u klasifikuan në nivelin “portokalli” të alarmit, që tregon për mundësi të larta viktimash.
 
“Ekipet e kërkim-shpëtimit janë në terren dhe numrat e viktimave mund të rriten. Deri tani më shumë se 20 persona janë konfirmuar të vdekur dhe mbi 320 janë plagosur, por ky numër pritet të ndryshojë. Ekipet mjekësore kanë mbërritur në rajonet e goditura nga tërmeti. Të gjitha spitaleve që janë afër këtyre zonave, u kemi kërkuar që të qëndrojnë në gatishmëri për të pranuar më shumë pacientë.”, - deklaroi Sharafat Zaman Amar nga Ministria e Shëndetësisë – Afganistan.
 
Tërmeti vjen vetëm dy muaj pasi një tjetër tërmet me magnitudë 6.0 goditi rajonin lindor malor të Afganistanit, duke shkaktuar mbi 1.000 viktima. Shumë nga ato viktima u shkaktuan për shkak të banesave tradicionale prej balte dhe druri, që u shembën plotësisht nga lëkundjet.
 
Afganistani është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet, për shkak të pozicionit të tij mbi kufirin e pllakave tektonike indiane dhe euroaziatike.
 
FARIJE DAUTI BAKIU