Maqedoni

Një person i dyshuar për vrasje në Sretenovë të Dojranit

04.11.2025 12:05

Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli ka nxjerrë urdhër për fillimin e procedurës hetimore...

Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli ka nxjerrë urdhër për fillimin e procedurës hetimore ndaj një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale vrasje, sipas nenit 123, paragrafi 1 i Kodit Penal.
 
I dyshuari, më 1 nëntor pasdite, pranë një objekti hotelierik në fshatin Sretenovë, Komuna e Dojranit, me dashje i ka marrë jetën një personi tjetër. I ndjeri, Nikola Timev, më parë kishte qenë mik i të dyshuarit, me të cilin kishin qenë ulur në shkallë duke pirë, por në një moment ndërmjet tyre kishte shpërthyer një debate verbale, e cila më pas ishte shndërruar në përleshje fizike.
 
I dyshuari fillimisht e kishte goditur viktimën me duar dhe këmbë, e më pas edhe me një shufër metalike, duke i shkaktuar më shumë se dhjetë fraktura në duar, këmbë dhe kafkë. Nga goditjet që kishin zgjatur pothuajse gjysmë ore, viktima nuk kishte mundur të mbrohej dhe ishte plagosur rëndë me gjakderdhje të madhe. I dyshuari më pas e kishte lënë në shkallë dhe ishte arratisur.
 
Të plagosurin e kishin vënë re kalimtarë të rastit, të cilët kishin thirrur ndihmën e shpejtë, dhe ai ishte transportuar në Qendrën Mjekësore të Gjevgjelisë, por kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
 
Prokurori publik i ka paraqitur gjykatësit të procedurës paraprake kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, për shkak se ekziston rrezik arratisjeje dhe mundësi që ai të pengojë procedurën duke ndikuar tek dëshmitarët që duhet të merren në pyetje gjatë hetimit.