Tensione mes ShBA-së dhe Venezuelës, Trampi paralajmëron fundin e Maduros
Tensionet midis ShBA-së dhe Venezuelës nuk po qetësohen....

Tensionet midis ShBA-së dhe Venezuelës nuk po qetësohen. Donald Trampi e minimizoi mundësinë e një lufte, por theksoi se ditët e Nikollas Maduros si president janë të numëruara.
Gjatë dy muajve të fundit, Uashingtoni ka dërguar mijëra ushtarë, anije luftarake dhe avionë në ujërat përreth Venezuelës, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen më të madhe amerikane, USS Gerald Ford.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se vendi është përfshirë në një konflikt të armatosur, duke u mbështetur në të njëjtin autoritet ligjor që përdori administrata e Bushit për të shpallur luftë kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit.
“Mbrojtja e atdheut tonë është tepër e rëndësishme. Rivendosja e fuqisë parandaluese është një mesazh i qartë për narko-terroristët në Karaibe apo në Paqësorin Lindor se nuk do të lejohen të helmojnë popullin amerikan pa u ndëshkuar. Kur t’i shpallim organizatat terroriste që merren me trafikun e drogës dhe që synojnë Shtetet e Bashkuara për të vrarë qindra mijëra amerikanë, ne do të veprojmë. Do t’i trajtojmë këto kartele si Al-Kaidën e hemisferës perëndimore dhe do t’i fundosim në fund të Karaibeve.”, - deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Presidenti Maduro akuzoi ShBA-në për krijimin e një narrative të rreme, me qëllim që të justifikojnë sulmet dhe të imponojnë ndryshim regjimi në vendin e tij.
Veprimet e ShBA-së u dënuan nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Rusinë, e cila shprehu mbështetje të hapur për Venezuelën.
Mediat perëndimore raportuan se një avion transportues rus, pavarësisht sanksioneve, ka mbërritur në Venezuelë. Avioni i përket një kompanie të njohur për transportin e pajisjeve ushtarake, armëve dhe mercenarëve në vende aleate të Moskës.
“Ne jemi në komunikim të përditshëm me qeverinë ruse për të gjitha çështjet, pasi kemi shumë bashkëpunime në zhvillim. Një numër i madh kadetësh dhe oficerësh tanë janë trajnuar në Rusi dhe shumë oficerë rusë kanë ardhur gjithmonë në Venezuelë, kjo do të vazhdojë. Tani që kërcënimet ndaj Venezuelës janë shtuar, ndoshta gjëra që më parë nuk përbënin lajm, sot po bëhen lajm. Venezuela do të vazhdojë në rrugën e saj dhe ajo që duam është paqja.”, - theksoi presidenti i Venezuelës, Nikollas Maduro.
Që nga fillimi i shtatorit, forcat amerikane kanë kryer disa sulme ndaj anijeve që dyshohet se merren me trafik droge në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor.
Të paktën 65 persona, kryesisht kontrabandistë, janë vrarë gjatë këtyre operacioneve. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
