Maqedoni

VLEN: Jemi fitues absolut në kampin politik shqiptar

04.11.2025 15:01

Zgjedhjet lokale vulosën fitoren e koalicionit VLEN...

Zgjedhjet lokale vulosën fitoren e koalicionit VLEN si fitues absolut në kampin politik shqiptar dhe si forca e dytë politike në vend me dhjetë komuna të fituara. Kështu deklaroi zëdhënësi i koalicionit VLEN, Driton Sulejmani, sipas të cilit në Tetovë fitoi puna, integriteti dhe vizioni i Bilall Kasamit, ndërsa në Çairin e Izet Mexhitit dështoi tentimi i referendumit për mbijetesë. Rezultatet zgjedhore VLEN-i i lexon si një fillim të një etape të re ku do të qeveriset me standarde evropiane dhe me respekt të plotë për qytetarin, pas 23 viteve dominim të një politike që u shkëput nga qytetari.
 
“Rezultatet janë të qarta, por mesazhi i qytetarëve edhe më i qartë. Epoka e politikës së vjetër ka përfunduar. Në këto zgjedhje qytetarët votuan për punë, përgjegjësi dhe politik që jep rezultate. Ata i dhanë mbështetje vizionit të VLEN-it për zhvillim lokal dhe për një standard të ri të qeverisjes të bazuar në ndershmëri dhe efikasitet.”, - deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
 
VLEN: S'ka shumë optimizëm për reforma brenda BDI-së
 
Sa i përket reformave të paralajmëruara kadrovike brenda BDI-së, VLEN-i nuk është optimiste se të njëjtat do të mund të ndodhin.
 
“Në lidhje me paralajmërimet e BDI-së për reforma rrënjësore, ne nuk është se nuk i njohim në veprimin politik. Ata vazhdimisht kanë deklaruar se po reformohen, mirëpo në momentin kur janë afruar zgjedhjet në skenën politike kanë dalë figura të njëjta politike, të vjetra, të cilat fatkeqësisht nuk kanë prodhuar politika të mirëfillta në skenën tonë politike në shtetin tonë. Realisht nuk jemi shumë optimistë se aty do të ketë reforma, edhe pse urojmë të ndodhë një gjë e tillë.”, - theksoi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
 
VMRO-DPMNE: Jemi fitues absolut i zgjedhjeve lokale
 
Partia më e madhe maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE konsideron se në zgjedhjet lokale qytetarët i njohën qëllimet e ndershme dhe të sinqerta të VMRO-DPMNE-së.
 
“Duke fituar në 54 komuna në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në qytetin e Shkupit, VMRO-DPMNE është fituesi absolut i këtyre zgjedhjeve lokale. Kemi ndryshime dhe fitore historike në Kërçovë, Karposh dhe Strumicë, ndërsa kemi shënuar fitore të mëdha edhe në Vallandovë, Dojran, Bërvenicë, Berovë, Dellçevë, Demir Kapi, Krushevë, Probishtip, Rosoman, Staro Nagoriçane dhe Çuçer Sandevë. Në komunat e tjera, kandidatët e VMRO-DPMNE-së fituan bindshëm, ndërsa fitore shënoi edhe Orce Gjorgjievski në qytetin e Shkupit.”, - u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Manasievski theksoi se LSDM është partia e tretë në skenën politike në Maqedoni, si pasojë e politikave të dështuara të Filipçes dhe Zaevit.
 
FLORIJE KAMBERI