Izraeli dorëzoi trupat e 45 palestinezëve, armëpushimi në terren është shumë i brishtë

04.11.2025 15:18

Izraeli ka dorëzuar 45 trupat e vdekur të palestinezëve...

Izraeli ka dorëzuar 45 trupat e vdekur të palestinezëve të mbajtur nga forcat pushtuese në burgjet izraelite gjatë luftës, një ditë pasi Hamasi dorëzoi trupat e tre pengjeve izraelitë.

Trupat mbërritën në morgun e Kompleksit Mjekësor “Naser” në Kan Junis, në jug të Rripit të Gazës.

Ata u dorëzuan nga forcat izraelite si pjesë e marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, në fazën e parë të armëpushimit. Kjo e çon në 270 numrin e përgjithshëm të trupave që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka marrë nga autoritetet izraelite, 95 prej të cilëve janë identifikuar deri më tani.

“Kanë mbërritur dyzet e pesë trupa. Po kryhen ekzaminimet e nevojshme. Për shkak të numrit të madh, ekzaminimet do të zgjasin dy ditë. Në ditën e parë do të shqyrtojmë 30 trupa dhe në të dytën 15. Nuk kemi marrë asnjë informacion për ta. Deri tani kemi pranuar 270 trupa, më shumë se 77 janë identifikuar nga 195, dhe fotot e pjesës tjetër i treguam dje.”, - deklaroi kreu i komisionit që pranon trupat dr. Ahmed Dhahir.

U liruan edhe të burgosur të gjallë nga burgjet izraelite. Mahmud Abu Foul ka treguar historinë e tij rrëqethëse pas lirimit, duke thënë se humbi shikimin si pasojë e dhunës dhe torturës gjatë paraburgimit.

“Më arrestuan në spital dhe më akuzuan padrejtësisht. Goditjet ishin të pandalshme, mbi shpinë e gjunjë, ndaj të rinjve, të moshuarve e të sëmurëve. Më vonë humba shikimin për shkak të rrahjeve e torturës. Ishte gjëja më e rëndë që përjetova. Falë Zotit, kurrë nuk humba shpresën. Besoja se në çdo moment dera do hapej dhe do shkonim në shtëpi.”, - theksoi palestinezi i burgosur, Mahmud Abu Foul.

Pavarësisht armëpushimit, sulmet izraelite ndaj civilëve në Rripin e Gazës vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe shkatërrime. Vetëm brenda një ditë u vranë mbi 100 civilë në kohën e armëpushimit.

Netanjahu u shpreh se këto sulme ndodhen si kundërpërgjigje për një ushtar izraelit, i cili u vra në Gazë.

Nga ana tjetër, Hamasi e mohon vrasjen e ushtarit dhe thotë se përpiqen ta ruajnë paqen e brishtë në Gazë, që u vendos më 10 tetor. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)