Botë

Tajfuni Kalmaegi godet Filipinet

05.11.2025 10:27

Të paktën 66 persona kanë humbur jetën dhe qindra mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre...

Të paktën 66 persona kanë humbur jetën dhe qindra mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi tajfuni Kalmaegi, një nga më të fuqishmit e këtij viti, ka shkatërruar zonat qendrore të Filipineve.

Sipas autoriteteve vendase, 49 nga viktimat ndodhen në ishullin Cebu, ndërsa 26 persona rezultojnë të zhdukur. Tajfuni ka shkaktuar përmbytje masive, duke marrë përpara makina, shtëpi dhe kontejnerë transporti, ndërsa shumë banorë janë strehuar në çati për t’i shpëtuar ujërave. Sipas Agjencisë Kombëtare të Emergjencave, më shumë se 400 mijë persona janë zhvendosur, ndërsa dëmet në banesa dhe infrastrukturë janë të konsiderueshme. Zyrtarët lokalë raportojnë se shumica e viktimave kanë humbur jetën nga mbytja, ndërsa rrjedhat e ujit kanë sjellë baltë e gurë nga kodrat në zonat e banuara.
 
Ekipet e shpëtimit kanë përdorur varka për të evakuuar njerëzit e bllokuar në shtëpi. Banorët tregojnë se përmbytjet kanë qenë më të rënda se çdo herë më parë, ndërsa dëmet në infrastrukturë dhe ekonomi pritet të jenë të mëdha. Filipinet përballen mesatarisht me rreth 20 tajfune çdo vit dhe Kalmaegi vjen vetëm një muaj pas tajfuneve Ragasa dhe Bualoi, që lanë mbi një duzinë viktimash dhe dëme të mëdha në bujqësi.
 
Sipas parashikimeve meteorologjike, Kalmaegi pritet të lëvizë drejt Vietnamit, i cili tashmë po përballet me reshje rekord.