Botë

ShBA, u rrëzua avioni me mallra, 7 të vdekur dhe 11 të plagosur

05.11.2025 14:14

Një aksident i rëndë ajror ka tronditur Shtetet e Bashkuara...

Një aksident i rëndë ajror ka tronditur Shtetet e Bashkuara, pasi një avion mallrash i kompanisë UPS shpërtheu në flakë gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar “Muhamed Ali” në Luizvill, shteti i Kentakit  dhe ishte nisur për në Honolulu të Havait. Autoritetet kanë konfirmuar se të paktën shtatë persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur. Pamjet dramatike të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur motori i majtë i avionit merr flakë gjatë ngritjes, pasuar nga një shpërthim i fuqishëm në qiell. 
 
“Në avion ishin tre anëtarë të ekuipazhit. Katër personat që kemi konfirmuar si të vdekur nuk ndodheshin në avion. Besojmë se numri i viktimave do të arrijë në shtatë. Siç thatë nga shefi O’Nil, ekipet e kërkimit janë ende në vendngjarje. Po presim konfirmimin zyrtar që familjarët e viktimave të jenë njoftuar, por donim të ndanim informacionin sa më shpejt të ishte e mundur.”, - deklaroi kryebashkiaku i Luivilit, Craig Greenberg.
 
Avioni i tipit Mekdonnell Dagllas MD-11, që transportonte rreth 150 mijë litra karburant, u rrëzua në një zonë industriale pranë aeroportit, duke shkatërruar dy biznese, një uzinë riciklimi nafte dhe një zonë me pjesë makinash. Dy punonjës të këtyre ndërmarrjeve vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
 
"Mund të konfirmoj se nuk kishte asnjë ngarkesë të veçantë të rrezikshme në bord që mund të krijonte probleme mjedisore për banorët përreth, por ndikimi dhe vendi ku ndodhi aksidenti mund të shkaktojnë situata të tilla. Prandaj, nëse është shpallur urdhër qëndrimi në shtëpi, ju lutem respektojeni.”, - theksoi guvernatori i Kentakit, Andy Beshear.
 
Zjarrfikësit janë angazhuar me dhjetëra mjete për të shuar flakët dhe për të kërkuar të mbijetuar, ndërsa për shkak të rrezikut të shpërthimeve të tjera është shpallur një urdhër qëndrimi në shtëpi në një rreze prej pesë miljesh rreth zonës së aksidentit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU