Botë
Gonzato - Rama për progresin në rrugën e duhur për anëtarësim në BE deri në vitin 2027
05.11.2025 14:21
Ambasadori Gonzato ia dorëzoi personalisht kryeministrit Edi Rama progres raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë....

Ambasadori Gonzato ia dorëzoi personalisht kryeministrit Edi Rama progres raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
“Raporti thotë një gjë, që Shqipëria është në rrugën e duhur, për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Progres të kënaqshëm të Shqipërisë, e cilësoi në vija të përgjithshme kreu i delegacionit të BE-së, atë që thuhet në progres raport, megjithatë nuk la pa evidentuar disa shqetësime.
“Dua të përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat. Të shfrytëzojmë këtë mundësi unike, pasi po hyjmë në një fazë vendimtare, ku do të testohet vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për t’u afruar me standardet e BE-së. Komisioni Evropian është gati të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të rrugës së saj për realizimin e synimit ambicioz për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.”, - theksoi ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Tek reformat që kanë një rol kyç në procesin e integrimit kërkoi “të mos lëshohet pe” e të realizohen me cilësi.
"Urgjenca e reformave nuk duhet të dëmtojë cilësinë e tyre, konsultime domethënëse përpara miratimit të shoqëruara me debate të shëndetshme në Kuvend. E them këtë se anëtarësimi është projekt gjithëshoqëror, që duhet t’i përqafojë aktivisht çdo vend. Ky projekt duhet të zotërohet nga Qeveria, opozita, shoqëria civile. Të gjithë kanë rolin e tyre. Për këtë duhet të ketë legjitimitet dhe konsensus.”, - u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Vetëm që Shqipëria të anëtarësohet në BE, Rama thotë se është i gatshëm që të qëndrojë edhe në paradhomën e Brukselit, pa të drejtë vetoje, por me të gjitha përfitimet si një i barabartë.
LULJETA NDOKA
