Maqedoni
Rasti "Onkologjia 1", u dëgjuan dëshmitarë të Prokurorisë
05.11.2025 14:52
Në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për rastin "Onkologjia 1"...

Në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për rastin "Onkologjia 1", që ka të bëjë me mjekimin e pandërgjegjshëm të pacientëve të prekur me tumor dhe keqpërdorimin e terapisë. Në seancë u dëgjuan dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, të cilët ndanë rrëfimet e tyre të dhimbshme, që i kanë përjetuar në Klinikën e Onkologjisë.
Njëra nga dëshmitaret së cilës i ka vdekur bashkëshorti si pacient i kësaj klinike, tha se personalisht drejtori Nikolla Vasev, i ka kërkuar para për t'i aplikuar terapinë onkologjike. Ajo tha se paratë ia kanë dhënë në zyrë dhe se pasi është bërë pagesa, ai nga frigoriferi e ka nxjerrë ampulën. Një tjetër dëshmitar tha se nga terapia që e ka marrë nëna e saj, gjendja i është vështirësuar, ndërsa onkologen Simonida Cërvenkova e ka shpërblyer me para, që ajo më mirë të kujdeset për nënën e saj.
Avokatët e të akuzuarve theksojnë se Prokuroria i udhëzon dëshmitarët për atë se çfarë të deklarojnë. Sipas tyre, penalisht duhet të përgjigjen edhe ata që kanë dhënë ryshfet, në këtë rast dëshmitarët, dhe jo vetëm ata që kanë marrë.
“Nga aspekti juridik kjo procedurë nuk zhvillohet për veprën penale marrje dhe dhënie të ryshfetit. Nëse Prokuroria ka pasur njohuri të tilla, që me gjasë edhe ka, pasi që i propozon këta dëshmitarë që japin deklarata drastike, nuk i akuzon mjekët edhe për marrjen dhe dhënien e ryshfetit.”, - deklaroi avokati, Bobi Spirkovski.
“Është shumë jokorrekte që Prokuroria po shfrytëzon dëshmitarë që shpalosën diskreditime personale të pabaza. Secili që e njeh mjeken Simonida Cërvenkova, e di që kjo nuk është e vërtetë. Lëndë e kësaj akuze është mjekimi i pandërgjegjshëm i të sëmurëve dhe në këtë drejtim asnjë nga dëshmitarët që dëgjuam sot nuk shpalosi asnjë argument se çfarë është ajo që dr.Simonida e ka bërë që të krijohet përshtypja, se ajo në mënyrë të pandërgjegjshme ka vepruar me ndonjërin nga pacientët.”, - theksoi avokati, Vlladimir Tyfegxhiq.
Në rastin "Onkologjia 1", të akuzuarit ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, dhe dy onkologët e tjerë të kësaj klinike, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, akuzohen për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve dhe mjekim të pandërgjegjshëm. Mjekja Meri Peshevska, e cila ka pranuar fajin, u dënua dy vjet me kusht, nëse në afat prej 5 viteve nuk kryen vepër të re penale.
FLORIJE KAMBERI
