Rajon
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, Kurti: Anëtarësimi në BE, prioritet strategjik
05.11.2025 15:12
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për periudhën 2024–2025...

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për periudhën 2024–2025, ku vlerësohet se vendi ka bërë përparim të kufizuar në disa fusha, por theksohet se ngërçi politik ka ndikuar ndjeshëm në rrugën evropiane të Kosovës. Sipas raportit, periudha e raportimit është karakterizuar nga përçarje politike dhe bllokadë paszgjedhore pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke pamundësuar formimin e institucioneve dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Periudha e raportimit u ndikua nga politikat e brendshme përçarëse dhe një fushatë përplasjesh përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt 2025, pasuar nga një bllokim politik paszgjedhor, për shkak të pamundësisë dhe mungesës së vullnetit politik të partive politike për të gjetur një mënyrë për krijimin e institucioneve. Qeveria ka qenë në status të Qeverisë në detyrë që nga 23 marsi i vitit 2025 dhe ka funksione të kufizuara ekzekutive për të realizuar operacione të përditshme. Bashkimi Evropian që nga maji i këtij viti ka ndërmarrë hapa për heqjen graduale të masave ndëshkuese që vendosi ndaj Kosovës në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.”, thuhet në raport.
Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti thotë se të gjitha marrëveshjet nga dialogu duhet të zbatohen nga të dy palët. Në luftën kundër korrupsionit, sipas raportit, Kosova ka bërë përparim të kufizuar derisa në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar thuhet se Kosova ka bërë disa përparime. Përkundër vërejtjeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar raportin si pozitiv për Kosovën.
“Këtë vit, edhe pse kemi qenë qeveri në detyrë, raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses. Integrimi në BE mbetet prioritet strategjik për Kosovën. Raporti sivjet është pozitiv në pothuajse të gjitha fushat dhe ofron rekomandime ku ka ngecje. Nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë, ka progres në 35 fusha dhe ngecje në 3. Orientimi ynë është i qartë, anëtarësimi në BE.”, - theksoi kryeministri i Kosovës,
Albin Kurti.
Raporti i Progresit për Kosovën nga Bashkimi Evropian paraqet pasqyrën e zhvillimeve politike, ekonomike dhe institucionale, duke shërbyer si udhërrëfyes për hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
ARMEND MURSELI
