Maqedoni

Mungesa e ilaçeve në Klinikën e Onkologjisë, Aliu: Nevojiten ndryshime ligjore

05.11.2025 15:22

Aliu theksoi nevojën për një sistem shëndetësor që fokusohet në parandalim, jo vetëm në reagim...

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi nevojën për një sistem shëndetësor që fokusohet në parandalim, jo vetëm në reagim kur qytetarët kërkojnë shërbime. Ai njoftoi se janë krijuar 12 grupe pune për këtë qëllim, duke diskutuar tema të tilla në nivel të Ministrisë, gjatë konferencës vjetore të kujdesit shëndetësor të organizuar nga Oda Amerikane e Tregtisë -AmCham.
 
“Ideja është që të krijojmë një sistem i cili do të jetë i digjitalizuar, do të ketë shërbime në kohë reale, do të ketë një transparencë. Por, këto tema të cilat i diskutuam këtu, i bisedojmë edhe në nivel të ministrisë, pra, siç e dini, ne kemi 12 grupe të punës, që punojnë në ndryshimin dhe adaptimin e 12 ligjeve që lidhen me shëndetësinë, gjithashtu edhe tre ligje të reja, me qëllim që të kemi një shëndetësi, e cila është kompatibile me dhënien e shërbimeve me cilësi ashtu siç është në të gjithë botën.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Ndërkohë pacientët në Klinikën e Onkologjisë po përballen me mungesë të disa ilaçeve, pavarësisht faktit se buxheti i klinikës për terapi është rritur me 65 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Ana Marjanoviq nga Shoqata “Hema-Onko”, klinika ka para, por pacientët me kancer mbeten pa terapi për javë të tëra, sepse shpërndarësit nuk e dorëzojnë atë në kohë. 
 
"Shpërndarësit nuk aplikojnë për tenderë, ka një problem me çmimet që ofrojnë. Një zgjidhje e mundshme do të ishte të fillonin të bënin këto blerje në një bazë dy, tre ose pesëvjeçare për ato ilaçe që lejohen dhe që kanë një afat të mjaftueshëm. Megjithatë, diçka duhet të ndryshojë në mënyrën se si bëhen tenderët dhe në të cilën aplikojnë kompanitë.", - theksoi Ana Marjanoviq nga Shoqata “Hema-Onko”.
 
Ministri Aliu, po ashtu theksoi për vitin 2026 janë paraparë të fillohet të investohen edhe 205 milionë eurot e përmendura kohë më parë nga marrëveshja me Britaninë, ku do të përfshihen tre klinikat, ajo e Shtipit, e Tetovës dhe Kërçovës, ku vetëm kjo e fundit do të ndërtohet nga fillimi, ndërsa klinikat në Shtip dhe në Tetovë vetëm do të rinovohen, dhe kjo marrëveshje, sipas Aliut, do të duhet të nënshkruhet tani pas mbarimit të zgjedhjeve lokale.  
 
FITIM KRYEZIU