Maqedoni
Raporti i progresit për RMV-në i KE-së, Filipçe: Më i keq në dhjetë vitet e fundit
05.11.2025 15:40
Raporti i progresit për RMV-në dëshmon kahjen e shtetit nën drejtimin e pushtetit aktual....

Raporti i progresit për RMV-në dëshmon kahjen e shtetit nën drejtimin e pushtetit aktual, vlerëson kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas tij, ky raport është më i keq në dhjetë vitet e fundit, që njëherësh ndez alarmin për të ardhmen dhe perspektivën e vendit. Kreu i opozitës shpreh keqardhje për zhvendosjen e vendit nga hapërimi me Shqipërinë në aspiratat eurointegruese dhe bashkëngjitjen në grupin e shteteve me probleme serioze. As agjenda reformuese, sipas Filipçes, nuk po gjen zbatim.
“Për fat të keq, ky raport vërteton se shteti ka ngelur në vend, reformat janë bllokuar, institucionet janë paralizuar, ndërkaq rruga eurointegruese në mes të retorikës së zbrazët pa asnjë përmbajtje reale. Nëse mirë shihet raporti, mesazhi është i qartë: Nuk ka progres në asnjë fushë. Ky nuk është problem i Bashkimit Evropian. Kjo nuk do të thotë se dikush neve na pengon që të punojmë diçka, kjo është shenjë e asaj se qeveria nuk ka vullnet, dëshirë, kapacitet, ta bëjë punën që duhet të bëhet dhe ta realizojë atë që është në interes edhe të qytetarëve edhe të shtetit. Këto reforma janë me rëndësi thelbësore për rregullimin e shtetit dhe sistemit.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ndërkohë, kryeministri Mickoski në samitin e së martës në Bruksel kushtuar zgjerimit, ka thënë se rrugëtimi ynë drejt BE-së ka hasur në shumë pengesa, jo të natyrës së plotësimit të kushteve të Kopenhagës, por të llojeve të tjera. Mickoski në takim me krerët e BE-së ka paraqitur pozicionet e vërteta, që sipas tij, janë dinjitoze dhe jo që të përulin, siç ka ndodhur sipas Mickoskit, në 25 vitet e kaluara.
Eurokomesarja për zgjerim, Marta Kos, një ditë në publikimin e raportit tha se vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për t’u avancuar në procesin e negociatave të pranimit gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë kryetarja e KE-së, Von der Lejen, ka shtuar se institucionet e BE-së janë më të përkushtuar se kurrë për ta shndërruar zgjerimin e BE-së në realitet. Me reformat e duhura dhe me vullnet të fuqishëm politik, ju të gjithë mund ta shfrytëzoni këtë mundësi, ka përfunduar shefja e ekzekutivit të BE-së, Von der Lejen.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
