Botë

Mamdani u zgjodh kryetar i Nju Jorkut, kundërshtar i ashpër i politikave të Trampit

05.11.2025 15:54

Zohran Mamdani është kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut....

Zohran Mamdani është kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut. I vetëkonsideruar si demokrat socialist, 34-vjeçari siguroi 50.4% të votave, duke mposhtur rivalin tjetër demokrat Andrju Kuomo, i cili kandidoi si i pavarur, pasi nuk arriti të fitonte përballë tij në zgjedhjet paraprake brenda demokratëve për kandidaturën e Nju Jorkut. Mamdani hyn në historinë e qytetit më të populluar të Shteteve të Bashkuara si kryebashkiaku më i ri në moshë dhe i pari i besimit mysliman. Në fjalimin e fitores, Mamdani i drejtoi edhe një mesazh presidentit Donald Tramp, i cili kërcënoi qytetin me ndërprerje fondesh në rast fitoreje të tij.
 
“Në fund të fundit, nëse ka dikush që mund t’i tregojë një kombi të tradhtuar nga Donald Tramp se si ta mposhtë atë, është pikërisht qyteti që e ka nxjerrë në pah atë. Nëse ka një mënyrë për të tmerruar një despot, është duke prishur kushtet që e lejojnë atë të grumbullojë pushtet. Me këtë mënyrë nuk ndalim vetëm Trampin, por edhe despotin e radhës.”, - deklaroi kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut, Zohran Mamdani.
 
Shefi i Shtëpisë së Bardhë u kundërpërgjigj shkurt në rrjetin e tij social me fjalët “dhe kështu fillon”. Para pak kohësh Trampi e quajti Mamdanin "komunist" duke paralajmëruar se qyteti do të përballet me një "katastrofë totale ekonomike dhe sociale" nën administrimin e Mamdanit. Ndërsa kandidati për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Andrju Kuomo, mbajti fjalim pas humbjes së tij në këto zgjedhje.
 
“Ndonëse humbëm, kjo fushatë ishte beteja e duhur për t’u zhvilluar dhe jam krenar për atë që bëmë së bashku. Kjo fushatë kishte për qëllim të sfidonte filozofinë që po formëson Partinë Demokratike, të ardhmen e këtij qyteti dhe të ardhmen e këtij vendi.”, - theksoi kandidati humbës për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Andrju Kuomo. 
 
Kandidatët republikanë u mundën edhe në zgjedhjet për guvernator të Nju Xhersit dhe Virginia, ku fituan demokratët Mikie Sherrill dhe Abigail Spanberger. Goditje për presidentin Tramp pati edhe në Kalifornia, ku rreth 64% e votuesve mbështetën propozimin për ristrukturimin e ndarjes së zonave elektorale për 52 vendet e këtij shteti federal në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, me qëllimin për të dërguar më shumë ligjvënës demokratë dhe për të balancuar të njëjtat ndryshime të bëra më parë në Florida dhe Teksas, ku shumicën e kanë republikanët. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU