Botë

Bllokada në ShBA paralizon trafikun ajror, reduktohen fluturimet në aeroportet kryesore

06.11.2025 13:28

Për shkak të mbylljes së vazhdueshme, fluturimet në SHBA do të anulohen duke filluar nga e premtja...

Bllokada e Qeverisë në ShBA, që zgjat tashmë më shumë se një muaj, i detyroi autoritetet që të reduktojnë fluturimet në 40 aeroporte kryesore. Administrata Federale e Aviacionit potencon mungesën dhe lodhjen e kontrollorëve të trafikut ajror si arsye, gjë që shkakton vonesa në mbarë vendin. Masa synon të lehtësojë ngarkesën mbi stafin që punon pa pagesë. 

“Kontrollorët kanë punuar pa pushim gjatë pesë javëve të fundit, duke mbajtur një barrë të madhe pa asnjë shpërblim. Po fillojmë të shohim shenja lodhjeje në sistem, prandaj duhet të përpiqemi t’i lehtësojmë. Kemi identifikuar 40 tregje me trafik të lartë dhe vendosëm që një ulje prej 10% në kapacitetin e planifikuar do të ishte e përshtatshme për të ulur presionin mbi kontrollorët tanë.”, - deklaroi zëdhënësi i Administratës Federale të Aviacionit, Brajan Bedford. 
 
Reduktimet e fluturimeve do të zbatohen gradualisht, duke filluar me 4% të fluturimeve vendase të premten, 5% të shtunën dhe 6% të dielën, për të arritur 10% javën e ardhshme. Ministri i Transportit, Shaun Dafi, deklaroi se trafiku ajror mbetet i sigurt dhe se vendimi për anulimin e fluturimeve është marrë për të ruajtur sigurinë. Ai paralajmëroi se do të shkarkojë ata që nuk paraqiten në punë.
 
“Nuk duam të arrijmë në një situatë që të themi se kishte probleme që mund t’i zgjidhnim, por nuk e bëmë. Prandaj, marrim vendime pro-aktive për të mbajtur hapësirën ajrore të sigurt. Po zbulojmë se kontrollorët tanë, për shkak të presionit financiar, po punojnë edhe punë dytësore. Të jem i qartë, nuk dua që ta bëjnë këtë, por duhet të paraqiten në punë. Aktualisht ka presion në të gjithë rrjetin ajror, shumë vonesa dhe anulime dhe këtë nuk e duam.”, - theksoi ministri i Transportit, Shaun Dafi. 
 
Ndërsa vlerësohet se si kufizimet e fluturimeve do të ndikojnë në shërbime, kompanitë ajrore i bënë thirrje Kongresit që menjëherë të zgjidhë ngërçin dhe të rikthejë sistemin kombëtar të hapësirës ajrore në kapacitet të plotë. Demokratët dhe republikanët ende nuk kanë arritur marrëveshje për financimin e shërbimeve sociale dhe të transportit.
 
“Kjo është mbyllja më e gjatë e ndonjë qeverie në historinë tonë. Realiteti është se demokratët mund ta kishin shmangur gjithë këtë kaos dhe dhimbje që i shkaktuan familjeve amerikane vetëm duke votuar për të mbështetur një rezolutë të pastër, jopartiake për zgjatje, një dokument i thjeshtë me 24 faqe, ashtu siç bënë 13 herë gjatë administratës së Bajdenit.”, - u shpreh kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Majk Xhonson. 
 
“Që në fillim kemi thënë se do të vlerësojmë me mirëbesim çdo marrëveshje dypartiake që do të dalë nga Senati, do të rihapë qeverinë, do ta përmirësojë jetën e popullit amerikan dhe do të përballet vendosmërisht me krizën republikane në kujdesin shëndetësor. Derisa të shohim detajet, nuk jemi në pozitë të bëjmë më shumë se kaq.”, - deklaroi udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Hakim Xhefris.
 
Pas bllokimit më 1 tetor, shumica e punonjësve federalë u dërguan në shtëpi dhe iu tha se do të paguheshin sapo qeveria të rihapej. Megjithatë, ata që konsideroheshin thelbësorë, si kontrollorët e trafikut ajror, duhej të vazhdonin punën pa pagesë. Menjëherë pas fillimit të mbylljes, aeroportet filluan të ndjenin efektet.
 
FARIJE DAUTI BAKIU