Maqedoni

Banka Botërore dhe Qeveria e Maqedonisë po përgatisin strategjinë e re për arsimin 2026 - 2032

06.11.2025 13:56

Banka Botërore do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës...

Banka Botërore do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës, të cilat janë kyçe për uljen e varfërisë, por edhe për mbështetjen e industrive produktive që kërkojnë përshtatje, aftësi të reja digjitale, mendim kritik dhe aftësi për të mësuar gjatë gjithë jetës. Me këtë synohet të ndihmohet Maqedonia, e cila po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, rënie demografike dhe emigrim. “Ky realitet kërkon një përgjigje strategjike.”, thonë nga Banka Botërore.
 
"Strategjia e Arsimit nuk është vetëm një dokument teknik që do të përfundojë në sirtar. Është një kornizë që do të përcaktojë drejtimin në të cilin do të lëvizë arsimi ynë në dekadën e ardhshme. Për të krijuar aftësi dhe kompetenca të nevojshme për një treg pune në rritje dhe që ndryshon me shpejtësi. Prandaj, kjo strategji nuk duhet të flasë vetëm për institucionet arsimore dhe shkollat, por edhe për ekonominë, tregun e punës dhe një shoqëri që investon në çdo person. Brezat që do të vijnë do të jenë konkurrues dhe nxitës të zhvillimit dhe inovacionit.", - deklaroi specialistja e lartë e arsimit në Bankën Botërore, Bojana Naceva.
 
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se  Maqedonia e Veriut është duke e përgatitur një strategji të re arsimore që do të mbulojë periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2032, dhe e njëjta duhet të rrisë cilësinë e arsimit të lartë, të mundësojë një përfshirje më të madhe dhe të përqendrohet në arsimin e mesëm profesional. 
 
"Arsimi është një biznes i shtrenjtë, por vlera e cilësisë së arsimit është e paçmuar dhe kjo është arsyeja pse ne mbetemi të përqendruar në rritjen e cilësisë së arsimit. Ne kemi filluar shumë ndryshime paralele, sepse në të kaluarën kemi pasur një pengesë, siç dëshmohet nga PISA dhe teste të tjera ndërkombëtare, raportet e BE-së dhe dokumente të tjera. Ne do të punojmë seriozisht për të rritur cilësinë e arsimit të lartë. Ne po punojmë në këtë strategji me shumë partnerë dhe ajo do të sigurojë vazhdimësi që nuk ekzistonte në të kaluarën.", - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska.
 
Strategjia duhet të ndihmojë në ndërtimin e arsimit që do të mbështesë të rinjtë dhe do të forcojë institucionet.
 
FITIM KRYEZIU