Maqedoni
Tetovë, është gjetur e vdekur një studente nga Gjakova
06.11.2025 14:41
Një 25-vjeçare, studente nga Kosova, me iniciale D.S., mbrëmë është gjetur e vdekur nga disa kalimtarë të rastit në qytetin e Tetovës....

Një 25-vjeçare, studente nga Kosova, me iniciale D.S., mbrëmë është gjetur e vdekur nga disa kalimtarë të rastit në qytetin e Tetovës. Dyshimet e para dhe jozyrtare janë se vajza është hedhur nga banesa ku ka jetuar në Tetovë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë punonjës të SPB-Tetovës dhe prokurori, ku kanë bërë hetime. Nga Prokuroria Themelore njoftojnë se të dhënat e para nuk japin indikacione për vepër penale për vdekjen në Tetovë të 25-vjeçares me iniciale D.S. nga Gjakova e Kosovës. Ndërsa nga Prokuroria njoftojnë se do të vazhdojnë hetimet dhe do të merren masa deri në zbardhjen e plotë të rastit.
“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa Prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ka reaguar mbrëmë edhe Ambasada e Kosovës në Shkup, nga e cila thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet për zbardhjen e rastit.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar nga Policia Rajonale e Tetovës se në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit.”, njoftuan nga Ambasada e Kosovës.
Vajza, e cila u gjet e vdekur të mërkurën në qytetin e Tetovës, ishte studente e vitit të katërtë në Tetovë. Ndërsa, trupi i pajetë i vajzës me urdhër të prokurorit është dorëzuar për obduksion, dhe pas ekspertizës trupi i pajetë i vajzës do t’u dorëzohet familjarëve.
VISAR SADIKI
