Maqedoni

Gjykimi për rastin "Onkologjia", Dëshmitari: Vasevi i mbante terapitë në zyrë

06.11.2025 15:10

Ish-drejtorët e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në seancën e sotme gjyqësore u përballën me tre dëshmitarë të rinj...

Ish-drejtorët e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, Nikolla Vasev dhe Nehat Nuhi, në seancën e sotme gjyqësore u përballën me tre dëshmitarë të rinj të Prokurorisë. Në dëshminë e tij, njëri nga mjekët e punësuar në Klinikën e Onkologjisë, shqyrtoi terapinë e dhënë  në një raport mjekësor, ku pacientit i është fshira doza paraprake e terapisë dhe i është shënuar dozë katër herë me e madhe. Sipas mjekut dëshmitar, në këtë rast diagnoza e pacientit nuk ka pasur nevojë për një dozë aq të madhe të terapisë. Edhe ish-kryetarja e bordit drejtues të Klinikës së Onkologjisë, shpjegoi mënyrën se si janë siguruar imuno-terapitë nga buxheti i kushtëzuar. Sipas saj, kjo ka ndodhur rrallë dhe me pajtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Shëndetësor.
 
Ndërkohë, ka pasur edhe seanca ku janë miratuar vendime për blerjen e terapive për të cilat nuk ka pasur paraprakisht leje nga këto dy institucione dhe më pas kanë theksuar se për të njëjtin duhet vendim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi Shëndetësor. Dëshmitari i tretë e ka paraqitur mënyrën se si prindi i tij e ka marrë terapinë imune. Sipas tij, ajo asnjëherë nuk i është dhënë në kohë, shpesh ka munguar, ndërsa e ka gjetur përmes lidhjeve në mënyrë direkte nga drejtori, Nikolla Vasev, dhe zyra e tij. Këto konstatime u kundërshtuan nga mbrojtja.
 
“Nuk mundet që familjar i pacientit që flet për mënyrën e mjekimit të të afërmit të tij, të flasë në lëndën ekonomike. Ai vendin e ka pasur gjatë gjykimit të djeshëm në lëndën tjetër. Kjo është një dëshmi për atë që po e flasim gjatë gjithë kohës, nuk ka aktakuzë të bazuar, prandaj procedura kështu do të vazhdojë.”, - theksoi avokati, Bobi Spirkovski.
 
Gjykata Penale në qershor të këtij viti e miratoi aktakuzën kundër ish-drejtorëve të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, për keqpërdorime, mashtrim dhe përvetësim në shërbim nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin me gati 36 milionë euro.
 
FLORIJE KAMBERI