Maqedoni
KShZ, shpallen rezultatet përfundimtare në 29 komuna
06.11.2025 16:19
KShZ bëri publike rezultatet përfundimtare të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri publike rezultatet përfundimtare të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 për zgjedhjen e kryetarëve për 29 komuna dhe në qytetin e Shkupit. Për tre komunat Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizarë – janë dorëzuar 16 ankesa për procesin e votimit. Në katër komuna do të përsëritet votimi.
“Këto ishin 29 komunat në të cilat janë zgjedhur kryetarët e komunave për të cilët publikuam rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e kryetarëve të komunave në rrethit të dytë si dhe kryetarin e qytetit të Shkupit.”, u shpreh kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.
Në KShZ janë dorëzuar 16 ankesa për komunat Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizare. Në seancën e KSHZ-së për disa vendvotime u hapën kutitë për të vërtetuar gjendjen faktike me numrin e fletave në procesverbale dhe atyre në kuti. Pas vendimit parashtruesit kanë të drejtë ankese në Gjykatën Administrative.
“Edhe herën e kaluar kemi pasur ankesa të ngjashme, por nuk patëm dëshmi se diçka nuk është në rregull dhe ne nuk I hapëm, pasi nuk kishte bazë për ti hapur. Megjithatë tani e shohim se ka dëshmi dhe kemi vlerësim fillestar të misionit të ODIHR-së se pas vëzhgimit të tyre kanë vërejtur një numër të madh të parregullsive.”, u shpreh anëtari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Për më tepër, janë dorëzuar edhe tre ankesa për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Komunës Shuto Orizari, ku më 2 nëntor u zhvillua rinumërim në tre vendvotime. Për këtë arsye, siç njoftoi KSHZ-ja, rezultatet përfundimtare për Këshillin e kësaj komune nuk do të publikohen derisa të përfundojë procedura e shqyrtimit të ankesave dhe eventualisht e padive para Gjykatës Administrative.
ERSAN PAJAZITI
