Maqedoni
Tetovë, Kasami zyrtarisht kryetar i Komunës së Tetovës
07.11.2025 11:35
Bilall Kasami sot edhe zyrtarisht mori mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Tetovës...

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot edhe zyrtarisht e mori udhëheqjen e komunës edhe për një mandat katërvjeçar. Kasami tha se Tetovën e presin shumë punë dhe sipas tij, këtë besim që mori nga qytetarët duhet t’ua kthejë në punë.
“Tani në mandatin e dytë me një intensitet të shtuar do të vazhdojë realizimi i projekteve. Ashtu siç edhe kemi premtuar për t’i dhënë një hov zhvillimit të Tetovës, veç janë duke u realizuar mega-projekte, siç janë stadiumi i qytetit, vazhdimi i projekteve infrastrukturore, projekti mega me kanalizimin fekale, projekt mbi 40 milionë euro, do të vazhdojë me intensitet ndërtimi i dy shkollave të mesme në Tetovë. Janë shumë projekte që janë nisur në mandatin e parë dhe të cilat do të vazhdojnë të realizohen edhe në mandatin e dytë.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami tha se në 100-ditëshin e parë do të realizojë disa premtime, që teknikisht janë të realizueshme.
“Në 100-ditëshin e parë do të vazhdojë realizimi i projekteve, të cilat janë duke u realizuar, ndërtimi i të gjitha rrugëve që po ndërtohen, që filluan para zgjedhjeve me të cilën do të dëshmojmë se ato rrugë nuk kanë qenë vetëm për të fituar vota, por për t’u shërbyer qytetarëve. Do të realizohet edhe premtimi për transport falas në 100-ditëshin e parë. Çdo nxënës do të ketë nga 100 euro për materiale shkollore, që do të realizohet nga viti i ardhshëm shkollor. Të gjitha këto premtime do të realizohen teknikisht në 100-ditëshin e parë.”, - theksoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami tani mbetet të formojë këshillin komunal, që sipas tyre numrat i kanë. Përndryshe, Kasami në zgjedhjet e fundit për të parin e Tetovës e fitoi kundër kandidatit për Tetovën nga radhët e AKI-së, Bajram Rexhepi, i cili menjëherë pas humbjes e uroi Kasamin, duke theksuar se përgjegjësinë për humbjen në Tetovë e mban ai vetë mbi supe.
VISAR SADIKI
