Maqedoni

Gjorgjievski filloi aksionin e pastrimit në Shkup, LSDM-ja e cilëson si marketing politik

07.11.2025 14:04

Në qytetin e Shkupit nisi një aksion i madh për pastrimin e mbeturinave

Gjatë mbrëmjes së ditës së enjte dhe orëve të para të ditës së premte, në qytetin e Shkupit nisi një aksion i madh për pastrimin e mbeturinave të mbetura me javë në çdo cep të qytetit.
 
Kryetari i ri i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, pasi mori mandatin nga kryetarja e deritanishme e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, filloi aksionin e shumëpritur dhe të paralajmëruar për pastrimin e qytetit nga mbeturinat në 72 orët në vazhdim. Në këtë aksion ishin të angazhuar mbi 200 automjete të ndryshme për pastrimin e qytetit, ndërsa ishin të angazhuar edhe qindra punëtorë nga të gjitha ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit.  
 
Në mbështetje të iniciativës së kryetarit të Shkupit, Gjorgjievski, kryetarët e komunave të tjera dërguan automjete për grumbullimin e mbeturinave dhe cisterna për pastrimin e rrugëve. Gjorgjievski theksoi se ky aksion nuk do të jetë vetëm 72-orësh, por një angazhim i vazhdueshëm.
 
“Kaloi koha kur qyteti i Shkupit ishte vend i deponive, ishit dëshmitarë se si nga dita e parë fillova aksionin për pastrimin e qytetit. Kjo nuk do të jetë vetëm 72 orë, por aksion i cili do të vazhdojë në kontinuitet çdo ditë.”, - deklaroi  kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. 
 
Aksionin, LSDM-ja opozitare, e cilësoi si marketing politik. 
 
“Për muaj të tërë, Shkupi po mbytej në mbeturina, banorët e Shkupit jetonin në ndyrësi çdo ditë. VMRO-DPMNE-ja në vend që të organizonte një pastrim të qytetit, ata qëllimisht bllokuan mbledhjen e mbeturinave. Mbrëmë, banorët e Shkupit panë pse mbeturinat kishin mbetur aty, dhe pse nuk ishte bërë asgjë për muaj të tërë, dhe e gjithë kjo vetëm që Orce Gjorgjievski të bënte piar, dhe spektakël cirku me dronë dhe kamera.”, - thuhet në komunikatën e LSDM-së. 
 
Gjorgjievski gjithashtu njoftoi se paralelisht me pastrimin e qytetit, filloi spastrimi edhe në ndërmarrjet publike. Ai largoi nga puna 371 persona, të cilët sipas tij, merrnin paga, por nuk paraqiteshin në punë. Ai ngriti dyshime për krim në Ndërmarrjen Publike "Higjiena Komunale". Në Prokurori akoma nuk ka arritur asgjë.
 
"Institucionet kompetente për zbulimin e krimeve janë Ministria e Brendshme, Drejtoria e Policisë Financiare, inspektoratet. Deri në këtë pikë Prokurorisë nuk i është dorëzuar asnjë raport dhe asnjë njoftim.”, - thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike në Shkup. 
 
Orce Gjorgjievski dje tha se ka dokumentacion sipas të cilit janë marrë me qira kamionë për të pastruar kryeqytetin dhe për këtë janë paguar para sikur të ishin shërbime intelektuale, në shuma prej mijëra eurosh.
 
FITIM KRYEZIU