Maqedoni
PNKOK, arrestime për ryshfet, shpërblim kundërligjor
07.11.2025 14:44
Ilija Stojlev dyshohet se ka pranuar ryshfet prej 50 mijë eurosh...

Drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ilija Stojlev, i dyshuar për marrje të ryshfetit i janë ofruar dhuratë 50 mijë eurove në këmbim të nënshkrimit të përdorim të fondeve nga Programi IPARD. Përveç Stojlevit, në këtë rast të dyshuar janë edhe katër persona të tjerë. I dyshuari i parë është menaxher i një personi juridik, i cili që nga fundi i shkurtit të këtij viti e deri dje, duke shfrytëzuar të njëjtin raport të vazhdueshëm dhe të njëjtat rrethana, në disa raste, drejtpërdrejt ose përmes ndërmjetësve, i kishte premtuar dhuratë para me vlerë të konsiderueshme drejtorit Stojlev. Për të dyshuarit, të cilët ngarkohen për veprat penale, Prokuroria kërkon masën e paraburgimit.
"Megjithëse personi juridik i të dyshuarit të parë nuk i plotësonte kushtet e parashikuara në Thirrjen Publike nr. 01/24 për paraqitje të kërkesave për përdorim të fondeve nga Programi IPARD për masën 3, drejtori, pas premtimit të marrë për një dhuratë në shumën prej 50.000 eurove, gjatë ditës së djeshme ka nënshkruar kontratën për përdorimin e fondeve financiare me personin juridik dhe ka pranuar një pjesë të shumës në vlerë prej 400 eurosh, të cilat gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar.", thonë nga Prokuroria.
Mickoski: Veprime të tilla janë të patolerueshme
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski thotë se raste të tilla nuk do të tolerohen teksa inkurajoi qytetarët që t'i paraqesin rastet e tilla.
“Unë në disa raste edhe më parë kam thënë se një sjellje e tillë devijuese nuk do të tolerohet. Pasi paraprakisht ishte paraqitur një lloj i tillë i sjelljes devijuese, u realizua aksioni. Nga ky moment e tutje, rasti është në duar të Prokurorisë dhe gjykatave. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, sektorin e biznesit dhe të tjerët se nëse janë viktimë e një veprimi të tillë nga cili do, ta paraqesin. I inkurajoj që t'i paraqesin, pasi që nuk ka dëm më të madh për një shoqëri se një lloj i tillë i sjelljes devijuese.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Në kohën e VMRO-DPMNE-së lulëzon korrupsioni
Nga LSDM akuzojnë se po lulëzon korrupsioni në bujqësi, ndërkohë që pyesin a është edhe Tripunovski i përfshirë në skemën e drejtorit të tij, Stojlev.
"Kur drejtori i një institucioni shtetëror, Ilija Stojlev, kuadër i VMRO-DPMNE-së, kapet me bankënota të shënuara për ryshfet, bëhet e qartë se korrupsioni në bujqësi po lulëzon. Prej më shumë se një vit e gjysmë flitet se kërkohen provizione, se dokumentet mbahen pezull dhe se zyrtarët janë nën presion. Tani, këto dyshime morën konfirmim me fakte konkrete, duar të kapura në krim. Është më se e qartë se bëhet fjalë për një sistem zhvatjeje brenda një institucioni.", thanë nga LSDM.
Sipas LSDM-së, gjithçka është rrënuar dhe se kjo vetëm e vërteton vlerësimin e Bashkimit Evropian në raportin e tij të fundit, ku thuhet: “Asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit.”
FLORIJE KAMBERI
