Maqedoni

Raporti i progresit, opozita shqiptare me kritika

07.11.2025 15:23

Opozita shqiptare me kritika të ashpra për raportin e KE-së opër Maqedoninë e Veriut....

Opozita shqiptare me kritika të ashpra për raportin e KE-së opër Maqedoninë e Veriut. Nga BDI thonë se raporti i fundit është dokumenti më kritik ndër vite dhe konfirmon regres të theksuar të vendit në procesin e integrimit evropian.
 
"Raporti thekson mungesë totale përparimi në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit, ku korrupsioni i nivelit të lartë mbetet i pandëshkuar dhe ndikimi politik në gjyqësor vazhdon të jetë i pranishëm. Komisioni konstaton se institucione kyçe janë të paralizuara, zyrtarë publikë ndërhyjnë në organet e pavarura, ndërsa reformat në drejtësi kanë mbetur në letër. Një ndër mesazhet më të rënda të raportit është se procesi i integrimit evropian është bllokuar nga vetë qeveria aktuale, e cila nuk ndërmori asnjë hap për ndryshimet kushtetuese të dakorduara me BE-në.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
 
Edhe Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Sipas Aleancës, raporti evidenton sfida serioze në drejtësi dhe sundim ligji. 
 
“Qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete për depolitizimin e institucioneve të drejtësisë dhe funksionimin e pavarur të Prokurorisë dhe Gjykatave. Të ndalohen praktikat e punësimeve partiake dhe të forcohen mekanizmat e kontrollit, duke siguruar që institucionet antikorrupsion të kenë fuqi reale dhe jo dekorative.”, shtojnë nga ASh, nga ku nënvizojnë rëndësinë e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve dhe respektimit të Marrëveshjes së Ohrit.
 
ERSAN PAJAZITI