Botë

ShBA, paralizohet trafiku ajror, anulohen qindra fluturime pas bllokimit të Qeverisë

07.11.2025 16:06

ShBA-ja është në gjendje kolapsi....

ShBA-ja është në gjendje kolapsi. Qindra fluturime janë anuluar në të gjithë vendin si masë parandaluese nga autoritetet për të ruajtur sigurinë në trafikun ajror, pas bllokimit të zgjatur të Qeverisë që ka vënë nën presion kontrollorët e trafikut ajror, të cilët punojnë pa pagesë.
 
“Kontrollorët duhet të jenë të përqendruar për të forcuar sigurinë e udhëtimeve. Çdo ditë që kjo zvarritje vazhdon, sjell probleme të reja. Nëse nuk i paguani, do të ketë pasoja edhe me të mëdha në të ardhmen.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës Kombëtare të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Nik Daniels. 
 
Aeroportet në Nju Jork, Los Anxhelos dhe Çikago janë ndër më të prekurat. Udhëtarët janë të shqetësuar dhe në pritje.
 
“Sot mbërrita dy orë para fluturimit. Jam nervoz. Nuk e di si do të shkojë me anulimet. Nuk kuptoj pse nuk arrijnë një marrëveshje, duhet të gjejnë një zgjidhje.”, - u shpreh udhëtari nga Denveri, Kurt Spiring.
 
“Mendoj se pjesërisht është për arsye sigurie, por pjesa tjetër është një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Kongresit që të miratojë vendimin për zhbllokimin e Qeverisë.”, - tha udhëtarja, Kristina Minikus.
 
Kryetari i bashkisë së Çikagos e dënoi situatën, duke fajësuar Donald Trampin për këtë dhe duke i quajtur taktikat e tij “të tmerrshme”.
 
“Aeroporti ynë është në thelb një qendër globale udhëtimesh, lidhja ndërkombëtare numër një. Kjo është e papranueshme, ja ku na kanë çuar taktikat dhe sjellja e tmerrshme e këtij presidenti.”, - theksoi kryebashkiaku i Çikagos, Brendon Xhonson.
 
Pas 14 votimeve të pasuksesshme, republikanët në Senat njoftuan një paketë të re ligjesh dypartiake për financim, me qëllim që t”i japin fund bllokimit të qeverisë federale. Megjithatë, demokratët kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë votimin derisa të rifillojnë negociatat.
 
“Do të kemi një votim për paketën e ligjeve të financimit. Do të jetë një ligj i përkohshëm për financimin e Qeverisë, deri në debatin që duket se është në thelb të mosmarrëveshjes.”, - theksoi senatori republikan, Xhon Nil Kenedi.
 
“Në momentin që do të kemi negociata, mund ta zgjidhim këtë për dhjetë minuta. Ajo që kërkojmë nuk është e paarsyeshme.”, - u shpreh senatori demokrat, Kris Marfi.
 
Qeveria e Shteteve të Bashkuara është zyrtarisht në bllokadë që prej 1 tetorit, pasi demokratët refuzuan planin e republikanëve për financimin e shtetit. Arsyeja kryesore e ngërçit mbetet mospajtimi rreth ligjit për kujdesin shëndetësor.
 
FARIJE DAUTI BAKIU