Botë

Tensionet ShBA – Venezuelë, ShBA-ja sulmoi një anije në Karaibe

07.11.2025 16:25

Tensione të reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës...

Tensione të reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, ndërsa Uashingtoni vazhdon me përforcimin ushtarak në Karaibe. Ushtria amerikane ka sulmuar sërish një anije, ku kanë mbetur të vrarë tre persona, për të cilën pretendohet se ishte e lidhur me një organizatë terroriste që merrej me kontrabandë droge. Maduro deklaroi se veprimet ushtarake amerikane nuk do ta tronditin vendin e tij.
 
“Nuk jemi të shqetësuar dhe askush nuk do të na ndalojë të krijojmë dhe të punojmë për ndërtimin e një demokracie të drejtpërdrejtë, të vërtetë dhe një paqeje të përjetshme për Venezuelën.”, - deklaroi presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro.
 
Ndërkohë Rusia u shpreh e gatshme t’u përgjigjet “kërkesave për ndihmë” nga Venezuela, por bëri thirrje që të shmanget përshkallëzimi i tensioneve në rajon. 
 
“Rusia ka treguar solidaritet të palëkundur me Venezuelën dhe është gati të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndaj kërkesës së Karakasit, duke marrë parasysh si sfidat ekzistuese, ashtu edhe ato të mundshme.”, - theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova.
 
Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, kërkoi ndihmë nga Rusia pasi qeveria e tij beson se Shtetet e Bashkuara paraqesin një kërcënim gjithnjë e më të madh. Sipas Karakasit, Uashingtoni ka dërguar më shumë trupa dhe mjete ushtarake në zonën e Karaibeve gjatë muajve të fundit, gjë që Venezuela e sheh si një rrezik për sigurinë e saj. Që nga fillimi i fushatës, ShBA-ja ka shkatërruar 18 anije dhe ka vrarë rreth 70 persona, duke pohuar se po luftojnë kundër karteleve të drogës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU