Skandali i IPARD-it rrezikon 128 milionë euro!?

08.11.2025 14:29

Skemat korruptive në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi...

Skemat korruptive në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural po e rrezikojnë qasjen e Maqedonisë së Veriut në fondet evropiane nga programi IPARD-3 me vlerë 128 milionë euro, paralajmëroi Ljupço Nikollovski nga LSDM.

“Skandali i madh me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ilija Stoilev, kuadër i VMRO-DPMNE-së, e dëshmon atë për të cilën kemi paralajmëruar vazhdimisht, pamjen e vërtetë të këtij pushteti – një shtet i kapur nga interesat partiake dhe personale, korrupsion dhe kuadro të paafta. Ky skandal, sipas informacioneve që i kemi, tashmë është sinjalizuar dhe është e mundur që Bashkimi Evropian të ndalojë financimet e programit IPARD-3 nga Komisioni Evropian. Në rrezik janë vënë 128 milionë euro nga e gjithë programi 7-vjeçar”. – tha Ljupço Nikollovski nga LSDM.

Sipas LSDM-së, Komisioni Evropian po shqyrton ndërprerjen e financimit përmes IPARD-3, gjë që do të bllokonte thirrjet e reja, marrëveshjet dhe pagesat, duke rrezikuar mijëra bujq dhe agrobiznese.

LSDM thotë se ka kohë që paralajmëron për keqpërdorime në IPARD-3 dhe se aksioni i fundit policor është vetëm kulmimi i një gjendjeje të njohur prej kohësh.

Tripunovski: Nuk ka asnjë rrezik për fondet IPARD

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, mohon kategorikisht që fondet e IPARD-3 të jenë në rrezik. Sipas tij një gjë e tillë nuk ekziston, pra nuk ka asnjë kërcënim as për fondet IPARD, e as për pagesat kombëtare që i ka Maqedonia si shtet.

“Qeveria po tregon luftë jodiskriminuese kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Këto raste në të kaluarën nuk ndodhnin; në një farë mënyre pushteti i mëparshëm mundohej t’i fshehte çdo lloj kriminaliteti. Nën presionin e opinionit ndoshta merrej ndonjë veprim, më shumë fasadë sesa vepra. I inkurajoj institucionet kompetente ta hetojnë rastin deri në fund, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të parandalojmë veprime të tilla në të ardhmen”. – u shpreh Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.

Ndryshe, dje Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit propozoi paraburgim për pesë të dyshuar për ryshfet, mes tyre edhe drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ilija Stoilev.

Ai dyshohet se ka pranuar premtim për një ryshfet prej 50.000 eurosh dhe më pas ka nënshkruar marrëveshje për pagesë të fondeve IPARD për një kompani që nuk i plotësonte kushtet.

Gjatë kontrollit janë gjetur edhe 400 euro si pjesë e shumës së dakorduar.

Në rast janë të përfshirë edhe një inspektor tatimor dhe një i punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, të cilët dyshohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj Stoilevit që ai të marrë vendim të kundërligjshëm. (Armend Murseli, TVM2)