Marsh i ri protestues për tragjedinë në Koçan, gjykimi për rastin fillon më 19 nëntor
Koçani përsëri në marsh protestues...

Koçani përsëri në marsh protestues. Familjet dhe të afërmit e viktimave të zjarrit në diskotekën “Puls” vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për tragjedinë, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë, kryesisht të rinj.
“Kjo nuk është protestë, por një marsh paqësor për një gjykim të drejtë, për të kujtuar se pas çdo ‘numri’ qëndron një emër, një jetë, një familje dhe një dhimbje. Mesazhi ynë është i thjeshtë, por i thellë, për fëmijët tanë, për drejtësi të vërtetë, për një Maqedoni me ndërgjegje”, thonë prindërit.
Ata theksojnë se duan të tregojnë se ky shtet nuk hesht përballë padrejtësisë dhe se ekziston një popull që nuk heq dorë nga e vërteta.
Më 19 nëntor, në sallën e gjyqit në burgun e Idrizovës, fillon procesi gjyqësor për tragjedinë në Koçan. Në bankën e të akuzuarve do të ulen 34 persona, të cilët do të përgjigjen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Në zjarrin e 16 marsit humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan. Prindërit njoftuan se do ta ndjekin gjykimin dhe, siç theksojnë, për të kujtuar se çdo vendim gjyqësor duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në harresë. (Armend Murseli, TVM2)
