Shqipëria në zgjedhje, votohet në pesë bashki

09.11.2025 13:50

Në Shqipëri, bashkitë e Vlorës Beratit, Cërrikut...

Në Shqipëri, bashkitë e Vlorës Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës janë në zgjedhje të parakohshme vendore. Mbi 334 mijë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj, nga 13 kandidatë që janë në garë.

Procesi i votimit po vijon normalisht ndërsa deri tani është shënuar një pjesëmarrje e ulët në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Fushata zgjedhore për këto zgjedhje kaloi në heshtje, pasi kandidatët i kanë zhvilluar takimet e tyre pa protagonizëm, ndërsa dy liderët e partive kryesore, Edi Rama dhe Sali Berisha nuk morën pjesë në asnjë miting.

Në këto zgjedhje, PD e Berishës dhe aleatët nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjerë.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar 612 policë, të cilët kanë marrë në ruajtje edhe Qendrat e Votimit. Për herë të parë, në bashkinë e Tepelenës, do të aplikohet si test inteligjenca artificiale në numërimin e votave. Rezultati do të transmetohet online dhe do të ballafaqohet me numërimin manual të komisionerëve.